“Dëm vetëm ndaj LDK-së” – Abdixhiku ‘godet’ 6 deputetët e kësaj partie qe refuzuan emrin e presidentit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar sërish këtë mëngjes lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe dështimin e votimit të kandidatit të propozuar nga LDK-ja. Abdixhiku ka mohuar se një ditë më parë ë...


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar sërish këtë mëngjes lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe dështimin e votimit të kandidatit të propozuar nga LDK-ja.
Abdixhiku ka mohuar se një ditë më parë është refuzuar ndonjë marrëveshje qeverisëse mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke theksuar se një marrëveshje e tillë nuk ka ekzistuar.
Sipas tij, LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në opozitë dhe, siç pretendon ai, të gjithë deputetët e partisë ishin pajtuar me këtë qëndrim, raporton ORAinfo.
“Dje nuk u refuzua asnjë marrëveshje qeverisëse me VV-në, sepse një marrëveshje e tillë nuk ekzistonte. LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në OPOZITË. Të gjithë deputetët tanë ishin pajtuar me këtë pozicion”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka kritikuar ata që, sipas tij, po e paraqesin situatën si një refuzim të marrëveshjes me VV-në, duke pyetur se çfarë është arritur apo “shpëtuar” me këtë veprim.
Abdixhiku ka thënë se ajo që është refuzuar ishte zgjidhja e Presidentit të Kosovës, përkatësisht votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja, duke vlerësuar se kjo tashmë e ka përcaktuar rrjedhën drejt zgjedhjeve të reja.
“Dje u refuzua zgjidhja e Presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe, me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit, zgjedhje të reja”, ka deklaruar ai.
Kreu i LDK-së ka rikujtuar edhe situatën e vitit 2020, kur partia, sipas tij, ra në 12 për qind, duke iu drejtuar kritikëve të tij me tone të ashpra.
Ai ka theksuar se zgjedhjet e reja nuk kanë qenë pjesë e agjendës së LDK-së dhe nuk kanë qenë as kërkesë e as vendim i anëtarësisë së saj.
“Por tash e sa muaj, ato kanë qenë agjendë e qartë e grupeve të tjera politike, të cilat, siç duket, tashmë po ndikojnë edhe në rrjedhat tona me sukses”, ka shkruar Abdixhiku.
Në fund, Abdixhiku ka thënë se zhvillimet e fundit i shkaktojnë keqardhje, por ka mohuar se kjo nënkupton dorëzim.
“Për këtë ndiej vetëm keqardhje! Por jo dorëzim. Jemi shumë. Jemi në të drejtë. E kemi detyrim. Republika megjithatë do të triumfojë!”, ka përfunduar ai. /ORAinfo/
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.