Deponia në Nikushtak u mbyll, por rrezikohet të krijohet një e re, mbeturinat hidhen përballë saj (VIDEO)
Deponia në fshatin Nikushtak të Komunës së Likovës është rrethuar dhe mbyllur, por kjo nuk e ka zgjidhur problemin e mbeturinave në këtë zonë. Pas rrethimit të hapësirës së deponisë, qytetarët kanë filluar t’i hedhin mbeturinat përballë ish...
Deponia në fshatin Nikushtak të Komunës së Likovës është rrethuar dhe mbyllur, por kjo nuk e ka zgjidhur problemin e mbeturinave në këtë zonë. Pas rrethimit të hapësirës së deponisë, qytetarët kanë filluar t’i hedhin mbeturinat përballë ish-deponisë, duke krijuar një grumbullim të ri të mbeturinave në afërsi të saj, shkruan Portalb.mk.
Mbyllja dhe rrethimi i deponisë ilegale në Nikushtak të Komunës së Likovës, nuk e ka zgjidhur problemin me hedhjen e mbeturinave. Qytetarët e pandërgjegjshëm kanë filluar hedhjen e mbeturinave dhe mbetjeve tjera inerte përballë ish-deponisë, duke krijuar mundësinë e krijimit të një deponie të re.
Situata ngre shqetësimin se mbyllja e deponisë, pa një zgjidhje alternative për deponimin e mbeturinave, mund të çojë në krijimin e deponive të reja dhe në përkeqësimin e gjendjes mjedisore në këtë zonë.
Portalb.mk ka pyetur Komunën e Likovës se ku po dërgohen aktualisht mbeturinat pas mbylljes së deponisë në Nikushtak dhe çfarë zgjidhjeje ka gjetur për menaxhimin e tyre. Nga ajte nuk kanë treguar se ku po dërgohen aktualisht mbeturinat, por thanë se Komuna e Likovës, në bashkëpunim me Regjionin Verilindor dhe komunat e tjera të këtij regjioni, përkatësisht Kriva Pallankën, Kratovën, Kumanovën, Sveti Nikollën dhe Staro Nagoriçanin, kanë themeluar një ndërmarrje ndërkomunale me qëllim të ndërtimit të Deponisë Rajonale për menaxhimin dhe riciklimin e mbeturinave në territorin e komunës së Sveti Nikollës.
“Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian, nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thanë nga Komuna e Likovës.
Ndërsa nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor kemi kërkuar të sqarojë nëse po e monitoron situatën dhe nëse ka ndërmarrë masa lidhur me këtë problem, por nga atje deri në publikimin e këtij lajmi nuk janë përgjigjur në pyetjet tona.
Përndryshe, me 15 shtator 2025, minsitria kumtoi se deponia në Nikushtak është mbyllur zyrtarisht sepse nuk i plotëson standardet për mbeturina. Ky vendim erdhi pas protestave të banorëve, të cilët kundërshtuan hedhjen e mbeturinave nga Ndërmarja Komunale Publike “Pisha”. Pas vendimit, reagoi Komuna e Likovës duke e quajtur atë vendim si joligjor.
Kujtojmë se për më shumë se dy dekada banorët e fshatrave së Komunës së Likovës kanë problem me këtë deponi. Premtime të shumta u bënë nga autoritetet lokale dhe qendrore por situata mbetej e njëjtë.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.