Dibra hap dyert për arbëreshët e Vakaricit

Kohëve të fundit disa komuna italiane, ku jetojnë arbëreshë, kanë shprehur interes për bashkëpunim me Komunën e Dibrës. Një delegacion i lartë i Komunës së Vakaricit nga Italia vizitoi Dibrën dhe zhvilloi një takim vëllazëror me delegacioni...

shtator 9, 2026 - 16:00
Dibra hap dyert për arbëreshët e Vakaricit

Kohëve të fundit disa komuna italiane, ku jetojnë arbëreshë, kanë shprehur interes për bashkëpunim me Komunën e Dibrës. Një delegacion i lartë i Komunës së Vakaricit nga Italia vizitoi Dibrën dhe zhvilloi një takim vëllazëror me delegacionin e Komunës së Dibrës, të kryesuar nga kryetari Fisnik Mela.

Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, informoi se ka pritur në takim një delegacion të arbëreshëve nga Komuna e Vakaricit, të kryesuar nga kryetari Antonio Pomillo. “Gjatë takimit u diskutua për forcimin e bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët. Gjithashtu, u shqyrtua mundësia që të fillojnë procedurat për binjakëzimin e dy komunave, si bazë për projekte dhe aktivitete të përbashkëta në të ardhmen”, tha kryetari i Dibrës, Fisnik Mela.

Ai shtoi se takimi paraqet një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit mes Dibrës dhe Vakaricit. Në takimin në fjalë janë përcaktuar edhe afatet e aktiviteteve për një bashkëpunim të ngushtë vëllazëror, me nënshkrimin së shpejti të Memorandumit për binjakëzim.

Pushteti vendor i Dibrës deri tani ka bashkëpunuar me disa komuna të Italisë, ku pjesa më e madhe e popullatës janë arbëreshë. Grupe folklorike arbëreshe kanë marrë pjesë edhe në aktivitete kulturore në Dibër dhe bashkëpunimi mes komunave është vlerësuar si shumë i frytshëm. Pritet që me binjakëzimin e komunave Dibër dhe Vakarici të vendoset një bashkëpunim institucional dhe afatgjatë, me projekte të përbashkëta në kulturë, trashëgimi, turizëm dhe fusha të tjera me interes të ndërsjellë. (V.S)


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.