Disa shkolla në kryeqytet pa ngrohje, Komuna e fajëson Ministrinë e Financave për “bllokim” të mjeteve të projektit të efiçiencës
Sistemi i ngrohjes ende nuk është funksionalizuar në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Faik Konica” në Prishtinë, ndonëse temperaturat sot, më 2 nëntor 2026, ishin nën 10 gradë Celsius. Pas një raportimi në KALLXO.com, ekipi i mediumit ka ...


Sistemi i ngrohjes ende nuk është funksionalizuar në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Faik Konica” në Prishtinë, ndonëse temperaturat sot, më 2 nëntor 2026, ishin nën 10 gradë Celsius.
Pas një raportimi në KALLXO.com, ekipi i mediumit ka vizituar shkollën, ku ka vërejtur se ambientet ishin të ftohta dhe nxënësit po vazhdonin procesin mësimor në këto kushte.
Në këtë shkollë, nxënësit e klasave 1-5 zhvillojnë mësimin tërëditor. Ata kanë mbetur pa ngrohje për shkak të punimeve në kuadër të projektit të efiçiencës së energjisë, i mbështetur nga Banka Evropiane për Zhvillim.
Komuna e Prishtinës pretendon se Ministria e Financave ia ka bllokuar mjetet financiare të dedikuara për këtë projekt. Për pasojë, punimet nuk janë përfunduar në sistemet e ngrohjes në shkollat “Faik Konica”, “Ismail Qemali”, “Iliria” dhe në kopshtin për fëmijë “Dielli”.
Një prind ka deklaruar për KALLXO.com se e ka monitoruar klasën ku mëson fëmija i tij dhe është informuar se nuk kishte ngrohje.
“Kam qenë në klasë dhe e monitorova klasën. Nuk ke ku me ditë sa ftohtë, po pritet ndoshta me pasë temperatura më të ftohta. Realisht u konsultova [me drejtorinë e shkollës], ata më thanë që DKA kinse ju ka premtu që shumë shpejt vijnë dhe i vendosin ato kokat në nxehëset… Unë i mobilizova prindërit, ju thashë që do të mundohemi ne me forcat tona me monitoru situatën dhe të shohim se çka po bëjmë ditëve në vijim”, tha F.K., i cili punon në institucione publike dhe për këtë arsye është identifikuar me iniciale.
“Normal që është shqetësuese, se këto punë u dasht m’i kry në temperatura kur kanë qenë më të larta, edhe në pushim veror, e jo tash kur janë nxënësit në mësim. Edhe ato shkaktojnë zhurmë, shkaktojnë panik. Aty munden me ardhë njerëz të ndryshëm, me hy punëtorë. Nuk jam kundër kurrkujt, por është njëfarë ndjenje jo e këndshme”, theksoi ai.
Ekipi i KALLXO.com ka kërkuar ta takojë zv.drejtoreshën e Shkollës “Faik Konica”, Kosovare Makolli-Leci, por nga stafi teknik është njoftuar se ajo ndodhej në një takim në Drejtorinë Komunale të Arsimit.
Pas disa tentimeve për ta kontaktuar përmes telefonit, zv.drejtoresha është përgjigjur me shkrim, duke konfirmuar se sistemi i ngrohjes në shkollë nuk është funksionalizuar.
“Kemi pranuar shqetësime nga prindërit lidhur me këtë situatë. Megjithatë, gjendja aktualisht në klasë është stabile dhe e menaxhueshme, ndërsa procesi mësimor po zhvillohet me orar të rregullt. Ambientet janë më të freskëta se zakonisht, por deri më tani situata ka mundësuar vazhdimin e procesit mësimor”, ka deklaruar Makolli-Leci.
Ajo ka shprehur shpresën që punimet në shkollë të përfundojnë sa më shpejt, në mënyrë që nxënësve t’u sigurohen kushte më të mira.
Arianit Elshani, drejtor i Arsimit në Prishtinë, ka thënë për KALLXO.com se kryetari Përparim Rama, më 26 tetor 2026, i ka kërkuar Ministrisë së Financave zhbllokimin e mjeteve financiare të dedikuara për projektin e efiçiencës së energjisë në kryeqytet.
“Kanë mbetur objektet edhe në këtë rast, edhe nga QKMF-të [Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare], por edhe në rastin e shkollave dhe kopshteve të cilat kanë mbetë pa sistem të ngrohjes, për shkak të valvulave që i ka marrë operatori ekonomik, i cili ka lënë punët në gjysmë për shkak të bllokimit të mjeteve financiare ndaj tij nga Ministria e Financave”, ka deklaruar Elshani.
“Këtë çështje e kemi adresu dhe fatkeqësisht gjendemi në një situatë ku në shkollat tona nuk kemi ngrohje, ku nxënësit, fëmijët tanë vuajnë pasojat e një beteje politike që po zhvillohet dhe këtu fatkeqësisht ata janë viktimë”, theksoi ai.
Elshani ka thënë se kanë arritur të ndërhyjnë në Shkollën “Dituria” në Shkabaj, ku drejtori i shkollës i ka sanuar problemet me ngrohjen.
Sipas tij, janë ndërmarrë disa veprime për ta adresuar problemin gjatë javëve në vijim, por për zgjidhjen emergjente nevojitet zhbllokimi i mjeteve financiare dhe vazhdimi i punimeve nga operatori ekonomik.
“Është tërësisht e pakuptueshme që kjo betejë politike që po zhvillohet në raport me Komunën e Prishtinës, Drejtorinë e Arsimit, të afektojë në këtë rast nxënësit edhe fëmijët tanë, për të cilët për ne më i rëndësishëm është shëndeti dhe mirëqenia e tyre dhe sigurisht edhe mbarëvajtja e procesit mësimor”, tha Elshani.
Drejtori i Arsimit ka deklaruar se nuk është i përfshirë në komunikimet zyrtare lidhur me arsyet e bllokimit të mjeteve nga Ministria e Financave, pasi ato adresohen nga drejtoritë e tjera komunale.
KALLXO.com i ka dërguar pyetje Ministrisë së Financave lidhur me pretendimet e Komunës së Prishtinës për bllokimin e mjeteve në kuadër të projektit të efiçiencës së energjisë dhe është në pritje të përgjigjeve.
Kryetari Përparim Rama, më 26 gusht 2026, ka publikuar kërkesën drejtuar ministrit të Financave, Hekuran Murati, në të cilën e ka informuar se operatori ekonomik i ka pezulluar punimet më 12 shtator 2026, duke lënë të papërfunduara punimet në 18 objekte publike, përfshirë shkolla, QKMF dhe çerdhe.
“Shqetësimi ynë kryesor mbetet siguria, shëndeti dhe mirëqenia e fëmijëve, duke qenë se në 10 prej institucioneve të përfshira në projekt, sistemet e ngrohjes ende nuk janë përfunduar dhe funksionalizuar. Me fillimin e sezonit të ngrohjes më 15 tetor, këto institucione rrezikojnë të mbeten pa kushtet elementare për zhvillimin e rregullt të procesit mësimor”, i ka shkruar Rama ministrit Murati.
“Kërkoj ndërhyrjen tuaj të menjëhershme për zhbllokimin dhe ekzekutimin e pagesave, çka do të na mundësonte rifillimin e punimeve me prioritet absolut funksionalizimin e sistemeve të ngrohjes në shkolla dhe çerdhe”, ka theksuar Rama.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.