Diskriminim në vendin e punës në Shkup, komisioni rekomandon rikthimin e punonjësit të larguar
Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi ka konstatuar diskriminim ndaj një punonjësi në një kompani në Shkup, i cili pretendon se ishte tallur, fyer dhe përballej me ngacmime psikologjike nga kolegët, ndërsa më pas mbeti p...
Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi ka konstatuar diskriminim ndaj një punonjësi në një kompani në Shkup, i cili pretendon se ishte tallur, fyer dhe përballej me ngacmime psikologjike nga kolegët, ndërsa më pas mbeti pa punë.
Sipas Komisionit, punonjësi, i cili është në spektrin e autizmit, kishte raportuar vazhdimisht incidentet te eprorët, por kompania nuk kishte marrë masa të mjaftueshme për të parandaluar përsëritjen e tyre.
Më 3 mars 2026, atij iu komunikua se vendi i punës po shfuqizohej për arsye biznesore, ndërsa marrëdhënia e punës i përfundoi më 1 prill. Komisioni vlerësoi se koha e largimit nga puna, në raport me ankesën për diskriminim, ngre dyshime për viktimizim.
Për këtë arsye, Komisioni rekomandoi që kompania ta rikthejë punonjësin në punë me kontratë të pacaktuar dhe të krijojë mekanizma efektivë për parandalimin e diskriminimit. Punëdhënësi ka 30 ditë për të zbatuar rekomandimet, në të kundërtën mund të përballet me procedurë kundërvajtëse.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.