Dogana parandalon kontrabandën e barnave, Dauti: Shëndeti i qytetarëve mbi gjithçka!
Ekipet mobile të Drejtorisë së Doganave në pikën kufitare të Bogorodicës kanë parandaluar një tentativë për kontrabandimin e 29 flakonëve të barit „Xgeva“, i cili përdoret për trajtimin e pacientëve me sëmundje malinje. Barnat me vlerë pre...
Ekipet mobile të Drejtorisë së Doganave në pikën kufitare të Bogorodicës kanë parandaluar një tentativë për kontrabandimin e 29 flakonëve të barit „Xgeva“, i cili përdoret për trajtimin e pacientëve me sëmundje malinje.
Barnat me vlerë prej rreth 336 mijë denarësh, së bashku me 29 kuti dhe 30 etiketa vetëngjitëse, me qëllim fshehjen e tyre, u gjetën brenda kutisë së ndihmës së parë në një autobus. Për shkak të transportit në kundërshtim me procedurat e përcaktuara të importit, ndaj personit të dyshuar tashmë është ngritur kallëzim penal.
Lidhur me këtë rast, zëvendësdrejtori i Doganës së Maqedonisë së Veriut, Mustafa Dauti, ka deklaruar: “Shëndeti i qytetarëve është mbi gjithçka dhe nuk duhet të rrezikohet nga tregtia e paligjshme e barnave. Vetëm gjatë këtij viti, Dogana ka sekuestruar mbi 30.000 njësi barnash në raste të lidhura me kontrabandën.”
Më tej, ai ka nënvizuar rrezikun e madh që sjell ky fenomen i paligjshëm për sigurinë e pacientëve.
“Përtej shkeljes së ligjit, tregtimi dhe transportimi i pakontrolluar i barnave paraqet rrezik serioz për shëndetin e njerëzve. Barnat duhet të ruhen dhe të transportohen sipas kushteve të përcaktuara, në mënyrë që të garantohet siguria dhe cilësia e tyre. Dogana vazhdon angazhimin për mbrojtjen e shëndetit publik, zbatimin e ligjit dhe parandalimin e çdo forme të kontrabandës që rrezikon qytetarët.”, theksoi Dauti.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.