Don Xhoni i’a ‘hëngër’ kokën drejtorit maqedonas
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se që sot nga ministri i Kulturës dhe Turizmit Sedat Sulejmani do të kërkojë që të shkarkohen drejtori dhe anëtarët e Këshillit Drejtues të Institucionit Nacional Muzeu Historik “Krushevë”, nën jurid...
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se që sot nga ministri i Kulturës dhe Turizmit Sedat Sulejmani do të kërkojë që të shkarkohen drejtori dhe anëtarët e Këshillit Drejtues të Institucionit Nacional Muzeu Historik “Krushevë”, nën juridiksionin e të cilit është edhe monumenti “Makedonium”.
Deklarata e tij vjen pasi dje në publik u njoftua se rapperi kosovar Don Xhoni për 500 euro ka marrë me qira monumentin “Makedonium” në Krushevë për të xhiruar pjesë të spotit për këngën e tij “Sexy Mama”.
Pyetur për të komentuar rastin, Mickoski tha se ajo që ndodhi nuk duhet të kishte ndodhur dhe u kërkoi falje qytetarëve për gabimin e bërë.
“Do të kërkoj nga ministri i Kulturës dhe Turizmit që të shkarkohet drejtori i asaj institucioni së bashku me anëtarët e Këshillit Drejtues, sepse institucione të tilla nuk duhet të jepen me qira dhe të përdoren për qëllime të tilla. U kërkoj falje qytetarëve për shkak se është bërë ai gabim. Do të përpiqemi që në të ardhmen diçka e tillë të mos përsëritet. Kështu që, që sot do të kërkoj që Këshilli Drejtues dhe drejtori i asaj institucioni kulturor të shkarkohen”, deklaroi Mickoski duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Për rastin më herët sot u shpreh edhe ministri i Kulturës dhe Turizmit Sedat Sulejmani, i cili tha se rasti është i ndjeshëm, por se së pari duhet të shqyrtohen aspektet ligjore se si të veprohet.
Drejtori i NU Muzeu Historik “Krushevë”, Miha Odzhaklieski, dje në një deklaratë me shkrim për mediat konfirmoi se hapësira është dhënë mbi bazën e një vendimi të mëparshëm të Këshillit Drejtues dhe se nuk është hera e parë që monumenti jepet për qëllime të ngjashme me një çmim të përshtatshëm.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.