Drejtorëve të inspektorateve mandati u zgjatet nga 4 në 5 vjet
Nga 1 tetori drejtorët e inspektorateve shtetërore do të zgjidhen sipas rregullave të përcaktuara me Ligjin për Udhëheqësit e Lartë, ndërsa mandati i tyre do të zgjatet nga katër vjet, që është aktualisht, në pesë vjet, njofton SP. Kjo ësht...
Nga 1 tetori drejtorët e inspektorateve shtetërore do të zgjidhen sipas rregullave të përcaktuara me Ligjin për Udhëheqësit e Lartë, ndërsa mandati i tyre do të zgjatet nga katër vjet, që është aktualisht, në pesë vjet, njofton SP. Kjo është paraparë me ndryshimet e propozuara të Ligjit për Mbikëqyrje Inspektoriale, me të cilat ndryshon metoda e zgjedhjes, kushtet për emërimin dhe shkarkimin e drejtorëve të inspektorateve shtetërore, transmeton Portalb.mk.
Një nga ndryshimet kryesore është anulimi i procedurës aktuale sipas së cilës Qeveria duhej të publikonte shpallje publike për zgjedhjen e drejtorit në uebfaqen e saj dhe në të paktën dy gazeta ditore. Në vend të kësaj, zgjedhja do të kryhet në përputhje me Ligjin për Udhëheqësit e Lartë.
Inspektorati shtetëror edhe më tej do drejtohet nga drejtori, të cilin do e emërojë dhe do e shkarkojë Qeveria, por procedura do të harmonizohet me modelin e ri ligjor. Me ndryshimet prezantohet edhe afat për fillimin e procedurës së zgjedhjes. Procedura për emërimin e drejtorit të ri do të duhet të kryhet jo më vonë se gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të drejtorit aktual.
Në këtë mënyrë propozuesi parasheh zgjedhjen në kohë të udhëheqësit të ri dhe evitimin e një periudhë të gjatë pa drejtor të zgjedhur.
Ndryshim tjetër i rëndësishëm është kohëzgjatja e mandatit. Në vend të katër viteve siç është aktualisht, drejtorët do të kenë mandat prej pesë vitesh, me mundësi për rizgjedhje pas mandatit të parë. Kjo do të thotë që një drejtor, nëse rizgjidhet, do mund ta kryejë funksionin maksimum dy mandate radhazi.
Ndryshojnë edhe kushtet e emërimit. Me zgjidhjen e re në vend të numërimit të detajuar të kushteve në Ligjin për Mbikëqyrjen Inspektoriale, do të referohen në kushtet e përcaktuara në Ligjin për Udhëheqësit e Lartë.
Në arsyetimin e propozimit thuhet se do të ketë edhe një kusht të veçantë në lidhje me përvojën e kërkuar të punës dhe përvojën si udhëheqës, si dhe një detyrim për njohjen në mënyrë aktive të programeve kompjuterike.
Rregulla të reja edhe për shkarkim
Ndryshon edhe mënyra në të cilën drejtori mund ta humbasë mandatin e tij. Para përfundimit të mandatit shkarkimi do të kryhet në përputhje me Ligjin për Udhëheqësit e Lartë. Në arsyetimin e projekt-ligjit gjithashtu përcaktohet edhe mundësia e shkarkimit me propozim të ministrit kompetent, ndër të tjera, nëse ka realizim të pamjaftueshëm të programit të punës ose kryerje të pakënaqshme të kompetenmcave të inspektoratit.
Ligji i deritanishëm parashihte një prag konkret, drejtori mund të shkarkohej nëse inspektorati nuk kishte realizuar të paktën 70 përqind të programit. Në arsyet e shkarkimit deri më tani bënte pjesë edhe kërkesa nga drejtori, vendimi gjyqësor i formës së prerë për vepër penale ose ndalesa për ushtrimin e profesionit, humbja e aftësisë juridike dhe shkelja e rregullave për konfliktin e interesit dhe parandalimin e korrupsionit.
Me ndryshimet e reja parashihet edhe zgjidhje për periudhën mes përfundimit të mandatit dhe zgjedhjes së drejtorit të ri. Deri në zgjedhjen e drejtorit të ri Qeveria do të emërojë ushtrues detyre drejtor. Kjo do duhet të sigurojë funksionimin e pandërprerë të inspektoratit edhe në rastet kur ka përfunduar mandati i drejtorit por ende nuk është zgjedhur drejtori i ri.
Projekt-ligji pritet të miratohet me procedurë të shkurtuar. Ligji do të hyjë në fuqi në ditën e tetë nga dita e publikimit të tij në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë”, ndërsa do të fillojë të zbatohet nga 1 tetori i vitit 2026.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.