Durmishi: Ali Ahmeti u detyrohet shqiptarëve të vërtetën për Marrëveshjen e Ohrit dhe gjuhën shqipe

Përfaqësuesi i koalicionit VLEN,Besar Durmishi, përmes një deklarate për mediat ka adresuar kritika të ashpra ndaj kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, duke e akuzuar atë për fshehje të të vërtetës lidhur me prapaskenat e Marrëveshjes së Ohrit ...

shtator 2, 2026 - 15:30
Durmishi: Ali Ahmeti u detyrohet shqiptarëve të vërtetën për Marrëveshjen e Ohrit dhe gjuhën shqipe

Përfaqësuesi i koalicionit VLEN,Besar Durmishi, përmes një deklarate për mediat ka adresuar kritika të ashpra ndaj kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, duke e akuzuar atë për fshehje të të vërtetës lidhur me prapaskenat e Marrëveshjes së Ohrit dhe statusin e gjuhës shqipe në Kushtetutë.

Durmishi u thirr në deklaratat e fundit të një prej figurave kyçe të vitit 2001, Gëzim Ostrenit, sipas të cilit gjuha shqipe mbeti e fshehur pas formulimit të “20 përqindëshit” në vend se të emërohej qartë.

Ai ngriti pyetjen se çfarë e shtyu Ahmetin që nga kërkesa fillestare për një shtet dygjuhësor shqiptaro-maqedonas të përfundonte duke pranuar kompromise që dëmtuan emrin e gjuhës shqipe në aktin më të lartë juridik.

Sipas përfaqësuesit të VLEN-it, BDI-ja e ka përdorur Marrëveshjen e Ohrit si një mburojë politike për të mbuluar dështimet, korrupsionin dhe pazaret në kurriz të shqiptarëve gjatë dy dekadave të kaluara. Ai shtoi se kjo marrëveshje është rezultat i sakrificës së popullit dhe jo pronë private e askujt.

Në përmbyllje, Durmishi theksoi se brezi i ri politik nuk ka detyrim të ruajë mitet e vjetra, por t’u thotë shqiptarëve të vërtetën. Ai u shpreh se VLEN po i jep zgjidhje konkrete këtyre çështjeve duke e shndërruar përfaqësimin e drejtë nga një parim në ligj dhe duke kthyer decentralizimin në krye të prioriteteve shtetërore.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.