Durmishi: Arka shtetërore nuk është e zbrazët, kemi hequr akcizën dhe kemi ulur TVSH-në për naftën
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në intervistën e ditës për Alsat-M, ka folur për paralajmërimin për rishikimin e buxhetit dhe situatën ekonomike të krijuar si pasojë e krizës së naftës. Durmishi tha se bëhet fjalë për një si...
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në intervistën e ditës për Alsat-M, ka folur për paralajmërimin për rishikimin e buxhetit dhe situatën ekonomike të krijuar si pasojë e krizës së naftës.
Durmishi tha se bëhet fjalë për një situatë të jashtëzakonshme, ndërsa paralajmëroi se të hyrat në buxhet mund të jenë rreth 6 deri në 7 miliardë denarë më të ulëta se sa ishte planifikuar.
“Arka shtetërore nuk është e zbrazët”, tha Durmishi, duke sqaruar se ulja e të hyrave lidhet edhe me masat e ndërmarra nga Qeveria për të lehtësuar barrën mbi qytetarët dhe bizneset.
Sipas tij, Qeveria ka hequr akcizën për naftën dhe ka ulur TVSH-në për derivatet e naftës, me qëllim që qytetarët dhe bizneset të përballen më lehtë me rritjen e çmimeve.
“Bëhet fjalë për atë se Qeveria ka hequr me vetëdije akcizën për naftën dhe ka ulur TVSH-në për naftën, që t’u dalë në ndihmë qytetarëve”, deklaroi Durmishi.
Ai shtoi se zhvillimet gjeopolitike dhe luftërat në botë kanë ndikuar edhe në ekonominë e vendit, veçanërisht në tregun e naftës.
“Gjithmonë bazohemi te argumentet që i marrim nga institucionet që i kemi relevante dhe të besueshme. U kemi dalë në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve që ta paguajnë naftën më lirë”, tha Durmishi.
Paralajmërimi për rishikimin e buxhetit vjen në një periudhë kur pasiguritë në tregjet ndërkombëtare të energjisë vazhdojnë të ndikojnë në ekonomitë e vendeve të rajonit.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.