Dyshime për rrjet kriminal pas lëmoshëkërkimit në Shkup, paralajmërohen kallëzime penale
Ministria e Punëve të Brendshme po heton nëse pas lëmoshëkërkimit të organizuar në rrugët e Shkupit qëndron një grup kriminal. Nëse dyshimet vërtetohen, përgjegjësit do të përballen me kallëzime penale, paralajmëroi ministri i Brendshëm, Pa...
Ministria e Punëve të Brendshme po heton nëse pas lëmoshëkërkimit të organizuar në rrugët e Shkupit qëndron një grup kriminal. Nëse dyshimet vërtetohen, përgjegjësit do të përballen me kallëzime penale, paralajmëroi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
Duke folur në podkastin “Në grindje me Ivanin”, në televizionin Kanal 5, Toshkovski tha se institucionet po ndërmarrin masa ndaj personave që kërkojnë lëmoshë në kryqëzime, veçanërisht rasteve kur të moshuarit shfaqen me turne, duke ngritur dyshime për organizim të mundshëm.
Sipas tij, ndaj personave që rrezikojnë sigurinë në komunikacion do të zbatohen dispozitat përkatëse ligjore, ndërsa në rastet kur provohet përfshirja në grupe kriminale, do të pasojnë edhe kallëzime penale.
Ministri bëri të ditur se më 1 tetor ka nisur një aksion i koordinuar mes MPB-së dhe Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, me synimin për ta trajtuar në mënyrë sistematike këtë problem.
Fokusi kryesor i institucioneve janë fëmijët që mund të jenë viktima të shfrytëzimit. Të miturit e gjetur në terren dërgohen fillimisht për kontrolle mjekësore në Klinikën e Fëmijëve në Kozle, ndërsa më pas qendrat për punë sociale vendosin për strehimin e tyre.
Për këtë qëllim është vënë në dispozicion edhe një pjesë e objektit “25 Maji”, në komunën e Butelit, ku deri më tani janë sistemuar dy fëmijë. Ndërkohë, ekipet kompetente po vazhdojnë kontrollet e përditshme në kryqëzimet e kryeqytetit.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.