E BUJSHME! Djali i Ancelottit zbulon ëndrrën e madhe: “Dua të drejtoj Milanin”

Davide Ancelotti nuk e ka fshehur dëshirën për të drejtuar një ditë Milanin, duke ndjekur gjurmët e babait të tij, Carlo Ancelottit. Trajneri i ri italian foli për “Radio Anch’io Sport”, ku u pyet edhe për mundësinë që në të ardhmen të ulet...

shtator 1, 2026 - 00:00
E BUJSHME! Djali i Ancelottit zbulon ëndrrën e madhe: “Dua të drejtoj Milanin”

Davide Ancelotti nuk e ka fshehur dëshirën për të drejtuar një ditë Milanin, duke ndjekur gjurmët e babait të tij, Carlo Ancelottit.

Trajneri i ri italian foli për “Radio Anch’io Sport”, ku u pyet edhe për mundësinë që në të ardhmen të ulet në stolin e AC Milan.

“Kam qenë gjithmonë pranë babait tim, që në fillim, kur ai më merrte në Milanello në fillim të viteve ’90, kur ishte ende futbollist”, u shpreh Davide.

“Kam qenë me fat që e kam pasur gjithmonë pranë, pavarësisht profesionit të tij. Ai më dha mundësinë të përjetoja nga afër dhomat e zhveshjes me shumë kampionë të mëdhenj.”

I pyetur drejtpërdrejt nëse drejtimi i Milanit është një ëndërr për të, Ancelotti Jr. u tregua i matur:

“Të stërvit Milanin? Ka shumë ëndrra. Po i mbaj këmbët në tokë. Tashmë po jetoj ëndrrën time, duke drejtuar një ekip të ri që mund t’i krijojë probleme kujtdo.”, përcjell ORAinfo.

Mësimi më i madh nga Carlo Ancelotti

Davide foli edhe për atë që konsideron si cilësinë më të madhe të babait të tij si trajner.

“Forca më e madhe e babait tim ka qenë aftësia për t’u përshtatur me lojtarët që kishte në dispozicion dhe për të evoluar bashkë me futbollin. Ky është mësimi i tij më i madh për mua. Një trajner duhet të jetë si një kameleon.”

Carlo Ancelotti është një nga figurat më të rëndësishme në historinë e Milanit. Ai ka lënë gjurmë te klubi si futbollist dhe më pas si trajner.

Në stolin e kuqezinjve, nga viti 2001 deri në 2009, Carlo fitoi tetë trofe, duke udhëhequr Milanin drejt dy triumfeve në Champions League dhe duke krijuar disa prej skuadrave më të famshme të klubit në epokën moderne.

Tani, mbetet për t’u parë nëse Davide Ancelotti do të ndjekë një ditë rrugën e babait dhe do të drejtojë Milanin. Për momentin, ai preferon të fokusohet te karriera e tij dhe të ndërtojë emrin e vet në botën e trajningut. /ORAinfo/


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.