E fshiu postimin për Mlladiqin dhe kërkoi falje – Kitanoviq: “Jam i gatshëm të mbaj përgjegjësi”
Pas reagimeve të shumta dhe kritikave të ashpra për publikimin e një fotografie që glorifikonte kriminelin e dënuar të luftës Ratko Mlladiq, drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, e ka fshirë p...
Pas reagimeve të shumta dhe kritikave të ashpra për publikimin e një fotografie që glorifikonte kriminelin e dënuar të luftës Ratko Mlladiq, drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, e ka fshirë postimin nga rrjetet sociale dhe ka kërkuar falje.
Çështja, ndërkohë, ka kaluar edhe në nivel qeveritar. Nga Qeveria është bërë e ditur se rasti është ngritur në nivel ministrash, pas reagimeve publike që shkaktoi postimi.
Kitanoviq, në deklaratën e tij, thotë se kërkon falje nga kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministrat që, sipas tij, janë përfshirë në një përplasje politike si pasojë e këtij rasti.
Ai shprehet i gatshëm të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij, por mohon se ka pasur qëllim të ofendojë apo poshtërojë ndonjë popull, fe apo komunitet etnik.
Postimi që shkaktoi reagimet përmbante një fotografi të Ratko Mlladiqit së bashku me figura të historisë serbe, ndërsa fotografia shoqërohej me mbishkrimin „Gjeneralët e ushtrisë qiellore“.
Në deklaratën e tij, Kitanoviq përpiqet të bëjë dallim mes tërheqjes së postimit dhe pranimit të akuzave ndaj tij.
“Jam i gatshëm të mbaj përgjegjësi për çdo fjalë timen. Por nuk do të mbaj përgjegjësi për manipulimet e të tjerëve me fjalët e mia.”
Ai shton se nuk pranon që fshirja e postimit të interpretohet si pranim i diçkaje që, sipas tij, nuk e ka bërë.
Rasti ka hapur debat të gjerë politik dhe institucional, veçanërisht për shkak të funksionit që mban Kitanoviq dhe ndjeshmërisë së figurës së Mlladiqit, i cili është dënuar nga drejtësia ndërkombëtare për krime të luftës dhe gjenocid.
Tash mbetet të shihet nëse pas fshirjes së postimit dhe kërkimfaljes do të ketë edhe përgjegjësi konkrete institucionale. Gazeta Flaka
The post E fshiu postimin për Mlladiqin dhe kërkoi falje – Kitanoviq: “Jam i gatshëm të mbaj përgjegjësi” appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.