E konfirmon Ministria, viti i ri shkollor fillon më 1 shtator

Viti i ri shkollor 2026/2027 do të nisë më 1 shtator, konfirmoi Ministria e Arsimit, duke hequr dilemat pas informacioneve jozyrtare që kanë qarkulluar ditëve të fundit se fillimi i mësimit mund të shtyhet. Kryetari i Këshillit të Prindërve...

gusht 21, 2026 - 18:00
E konfirmon Ministria, viti i ri shkollor fillon më 1 shtator

Viti i ri shkollor 2026/2027 do të nisë më 1 shtator, konfirmoi Ministria e Arsimit, duke hequr dilemat pas informacioneve jozyrtare që kanë qarkulluar ditëve të fundit se fillimi i mësimit mund të shtyhet.

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Besnik Dragusha, tha për KosovaPress se një pjesë e konfuzionit mund të ketë ardhur nga fakti se në Shqipëri viti i ri shkollor nis më 14 shtator, duke bërë që qytetarët të mendojnë se e njëjta datë mund të vlejë edhe për Kosovën.

“Nuk e di nga ka rrjedhur ky informacion i paverifikuar, mirëpo ministria veçse e ka bërë publik kalendarin shkollor dhe po ashtu ka qenë i publikuar edhe më herët ku kanë mundur prindërit të japin komentet në draftimin e kalendarit. Ne kemi dhënë komentet kur ka pasur nevojë të japim komente, mirëpo tanimë është edhe zyrtare se mësimi do të fillojë më 1 shtator. Nuk e di pse po e marrin bazë metodologjinë e Shqipërisë. Atje fillon më 14 shtator, por ne do ta fillojmë mësimin më 1 shtator”, u shprehur ai.

Megjithatë, Dragusha ka theksuar se në shkolla ku ka renovime mund të ketë shtyrje të vogla, por kjo nuk ndryshon datën e përgjithshme të fillimit të vitit shkollor.

“Vetëm në ato shkolla sigurisht ku do të ketë renovime mund të ketë ndonjë shtyrje njëditore, por unë po flas për procesin si të tërësi”, ka thënë ai.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë u ka bërë thirrje prindërve të mos nxitojnë me blerjen e teksteve mësimore, sepse procesi i negocimit të çmimeve për tekstet mësimore me shtëpitë botuese ende nuk ka përfunduar.

Pas përfundimit të procesit të negocimit me shtëpitë botuese, Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të publikojë katalogun përfundimtar me çmimet e teksteve mësimore dhe do të përcaktojë shumën përkatëse për blerjen e librave për secilin nxënës.

Ministria u ka bërë thirrje edhe librarive të teksteve mësimore që të mos fillojnë shitjen e librave para përfundimit të procedurave dhe publikimit të njoftimit zyrtar nga ministria.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.