E Majta me politikanen me origjinë turke fiton zgjedhjet në Berlin

Rezultat historik në Berlin: Elif Eralp nga E Majta ka një mundësi reale të bëhet kryetarja e parë e kryeqytetit gjerman nga kjo parti, pas fitores bindëse të saj në zgjedhje. Pas zgjedhjeve për Parlamentin e Landit të Berlinit, po paralajm...

shtator 20, 2026 - 23:00
E Majta me politikanen me origjinë turke fiton zgjedhjet në Berlin

Rezultat historik në Berlin: Elif Eralp nga E Majta ka një mundësi reale të bëhet kryetarja e parë e kryeqytetit gjerman nga kjo parti, pas fitores bindëse të saj në zgjedhje.

Pas zgjedhjeve për Parlamentin e Landit të Berlinit, po paralajmërohet një ndryshim i pushtetit. E Majta, e cila deri vonë nga shumëkush konsiderohej politikisht e eliminuar, feston një fitore bindëse, ndërsa CDU nuk arriti t’i bëjë konkurrencë. Tani në fokus janë koalicionet e mundshme që do të formojnë qeverinë e re të qytetit.

“Kemi shkruar historinë”, u tha kandidatja e E Majtës, Elif Eralp, mbështetësve të saj të entuziazmuar. Sipas projeksioneve, partia e saj fitoi bindshëm ndaj CDU-së në zgjedhjet në Berlin.

Kjo i jep E Majtës për herë të parë mundësinë reale për të propozuar kryetaren e Berlinit. Kjo mund të ndodhë përmes një koalicioni të përbërë nga E Majta, të Gjelbrit dhe Partia Socialdemokrate (SPD).

Qëllimi i deklaruar i kandidatit kryesor të CDU-së, Stefan Evers, ishte ta parandalonte këtë skenar dhe ta mbante qeverisjen e qytetit në duart e Unionit. Teorikisht, kjo ende është e mundur, pasi edhe një koalicion mes CDU-së, të Gjelbërve dhe SPD-së do të kishte shumicë parlamentare.

Megjithatë, të Gjelbrit kanë paralajmëruar se do të angazhohen për një koalicion mes E Majtës, të Gjelbërve dhe SPD-së, duke vlerësuar se Senati aktual kuq e zi është mposhtur në zgjedhje. Një koalicion i tillë i majtë tashmë ka qeverisur Berlinin nga viti 2016 deri në vitin 2023, atëherë nën drejtimin e SPD-së.

E Majta dyfishon rezultatin e vitit 2023

Sipas projeksioneve, E Majta mund të marrë rreth 25 për qind të votave, që përbën një rezultat dyfish më të mirë krahasuar me zgjedhjet e vitit 2023.

CDU-ja, e cila pas fitores në zgjedhjet e mëparshme qeverisi Berlinin së bashku me SPD-në, ndodhet në rreth 20 për qind dhe humbet afërsisht tetë pikë përqindjeje.

Për vendin e tretë garojnë të Gjelbrit me rreth 15 për qind dhe AfD-ja, e cila është forcuar. Partia e ekstremit të djathtë ka mes 14 dhe 16 për qind mbështetje, por megjithatë shënon rezultat më të dobët se sa pritej sipas sondazheve të fundit. Asnjë nga partitë e tjera nuk dëshiron të formojë koalicion me AfD-në.

SPD-ja, e cila ka marrë pjesë pandërprerë në qeverisjen e Berlinit që nga bashkimi i Gjermanisë, ka rënë në rreth 12 për qind, që do të përbënte rezultatin më të dobët zgjedhor në historinë e saj në qytet.

Në festën e E Majtës binin konfeti dhe atmosfera festive nuk kishte të ndalur.

“Që nga sot, së bashku do ta ndryshojmë Berlinin dhe do ta bëjmë një vend më të mirë për të jetuar”, deklaroi Eralp.

Gjatë fushatës, E Majta u përqendrua te një çështje që prek një pjesë të madhe të banorëve të kryeqytetit gjerman: mungesa e banesave dhe qiratë e larta.

Eralp premtoi se do ta zbatojë pa kompromis referendumin e suksesshëm të vitit 2021 për shpronësimin, me kompensim, të kompanive të mëdha të banimit.

Argumenti i saj është se në këtë mënyrë qyteti do të fitonte rreth 220 mijë banesa të tjera komunale dhe do të mund të ndikonte më efektivisht në tregun e pasurive të paluajtshme, ku qiratë prej vitesh kanë shënuar rritje të fortë.

Ajo ka paralajmëruar gjithashtu kufizimin e qirave në banesat komunale, si dhe masa më të rrepta kundër rritjeve të paligjshme të qirave.

Kryetarja e parë e Berlinit nga E Majta

Nëse merr postin, Eralp jo vetëm që do të jetë kryetarja e parë e Berlinit nga radhët e E Majtës, por edhe kryetarja e dytë e një landi gjerman nga kjo parti, pas Bodo Ramelowit në Turingi.

Ajo do të ishte gjithashtu drejtuesja e parë e qeverisë së Berlinit me prejardhje migrante, pasi ka origjinë turke.

Formimi i qeverisë pritet të jetë i ndërlikuar. Pas sinjalit pozitiv nga të Gjelbrit, vendimi përfundimtar për negociatat e mundshme për një koalicion E Majtë–Të Gjelbrit–SPD do të varet nga SPD-ja./DW


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.