“Edhe nesër jemi në kuvend”, Çitaku: PDK-ja do të jetë aktive çdo ditë
Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, në një konference per media ka akuzuar kryesuesin e seancës konstituive, Avni Deharin, se po ‘vepron në kundërshtim me Kushtetutën, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuesse dhe Rregulloren e Kuv...


Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, në një konference per media ka akuzuar kryesuesin e seancës konstituive, Avni Deharin, se po ‘vepron në kundërshtim me Kushtetutën, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuesse dhe Rregulloren e Kuvendit’.
“Dehari po refuzon të veprojë në përputhje me Kushtetutën, me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit dhe po i nënshtrohet vullnetit politik të partisë së tij. Kjo nuk është shkelja e parë. Fillimisht, Kuvendi nuk u konstitua brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, më pas u shpërfill detyrimi procedural për vazhdimin e seancës konstituive çdo 48 orë dhe tani, pas kërkesës sonë, siç e pamë, u refuzua thirrja e seancës”, tha Çitaku.
Sipas deputetes së PDK-së, institucionet e Kosovës nuk mund të funksionojnë mbi bazën e vullnetit të një partie politike.
“Nuk kemi të bëjmë me një incident procedural. Kemi një model të sjelljes politike. Kushtetuta zbatohet vetëm kur i përshtatet një partie. Kjo është e papranueshme. Kur vullneti i një partie vendoset mbi Kushtetutën, mbi rregullat dhe mbi institucionet, atëherë kemi suspendim praktik të rendit kushtetues dhe të demokracisë”, u shpreh ajo.
Çitaku tha se Kuvendi është efektivisht i mbyllur dhe se deputetëve po u pamundësohet ushtrimi i mandatit të tyre.
“Kuvendi është efektivisht i mbyllur, deputetëve po u pamundësohet ushtrimi i mandateve të tyre. Këto mandate nuk na i ka dhënë Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje. Mandatet na i ka dhënë qytetari i Republikës së Kosovës më 7 qershor”, deklaroi Çitaku.
Çitaku ka thënë se PDK-ja nuk po kërkon pushtet apo marrëveshje politike për partinë, por funksionalizimin e institucioneve të shtetit.
“Nuk po kërkojmë pushtet, nuk po kërkojmë marrëveshje për PDK-në, po kërkojmë funksionalizimin e shtetit. Ne sërish do të bëjmë kërkesë për seancë pas 48 orësh dhe aktiviteti ynë nuk do të kufizohet më brenda këtij institucioni. Ai do të zhvendoset edhe jashtë Kuvendit, në forma më të gjera të mobilizimit politik, demokratik dhe qytetar”, tha ajo.
Tutje, ajo u shpreh se do të bashkëbisedojnë me qytetarë, përfaqësues të shtresave të ndryshme të shoqërisë, studentë, mjekë, biznesmenë e ndërmarrës, pasi u shpreh se ky kaos politik, sipas saj, e prek secilin.
Gjatë ditës, deputetë të PDK-së dhe Aleancës kanë kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të thirret vazhdimi i seancës konstituive. Gjatë kësaj kohe pati disa raste ku pati shtyrje fizike në mes deputetëve të partive ish-opozitare dhe të Lëvizjes Vetëvendosje.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.
