Edhe një kosovar i arrestuar në Serbi, MPJD: Kemi njoftuar BE-në dhe vendet e Quint-it
Ministria e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës (MPJD) ka njoftuar të shtunën se i ka dërguar notë verbale misioneve diplomatike të vendeve të QUINT-it në Serbi me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të d...


Ministria e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës (MPJD) ka njoftuar të shtunën se i ka dërguar notë verbale misioneve diplomatike të vendeve të QUINT-it në Serbi me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Republikës së Kosovës, Dukagjin Maxhuni, i cili u arrestua në kufirin Serbi – Kroaci nën dyshimet për krime lufte.
MPJD-ja ka thënë se ka njoftuar edhe delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, ka njoftuar menjëherë Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe ka dërguar notë verbale pranë misioneve diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.
Tutje, Ministria ka bërë të ditur se vizita e familjarëve të Maxhunit pritet të realizohet gjatë javës në vijim.
“Ambasadori i Republikës së Kosovës në Serbi, z. Jetish Jashari, është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e të arrestuarit dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse, do të procedojë me paraqitjen e kërkesës zyrtare për lejimin e vizitës ndaj shtetasit Maxhuni. Vizita pritet të realizohet gjatë javës në vijim”, vijon njoftimi.
MPJD-ja ka thënë se përmes Zyrës Ndërlidhëse në Serbi do të vazhdojë monitorimin e afërt të këtij rasti dhe “do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme diplomatike për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës”.
Autoritetet në Serbi i kanë caktuar 30 ditë paraburgim Maxhunit. Siç pretendon Serbia, ai dyshohet për krime kundër anëtarëve të dy familjeve në qershor të vitit 1999 në fshatin Bec të Gjakovës.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.