Ekspertët: AKU ta tërheqë përkohësisht nga tregu produktin e VITA-s, ka sasi të konsiderushme vaj palme

Qumështi “Vita”, i cili dyshohet se ka sasi të lartë të vajit të Palmës i bllokuar në tregun e Kosovës, në Shqipëri gjendet në shumë markete. Sipas eskspertëve që citon sot Mcn Tv, duhet të tërhiqet nga tregu dhe të kryhen të gjitha analiza...

gusht 5, 2026 - 20:30
Ekspertët: AKU ta tërheqë përkohësisht nga tregu produktin e VITA-s, ka sasi të konsiderushme vaj palme

Qumështi “Vita”, i cili dyshohet se ka sasi të lartë të vajit të Palmës i bllokuar në tregun e Kosovës, në Shqipëri gjendet në shumë markete.

Sipas eskspertëve që citon sot Mcn Tv, duhet të tërhiqet nga tregu dhe të kryhen të gjitha analizat ndërsa Autoriteti i Kontrollit të Ushqimit nuk ka asnjë reagim për këtë situatë.

Më herët, fabrika e qumështit “Vita” në Istog u mbyll përkohësisht nga vetë kompania, pasi inspektorë të Agjencisë të Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kryen kontrolle gjatë 2 korrikut. Më vonë, nga kjo kompani thanë se do të rinisin punën, sapo autoritetet të publikojnë rezultatet e mostrave të marra.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë tha pas inspektimeve në fabrikën e qumështit në Istog se në këtë fazë nuk është marrë asnjë masë për mbylljen e fabrikës.

“Inspektimi ka konsistuar vetëm në verifikim dhe marrje mostrash, ndërsa vlerësimi i plotë dhe konstatimet përfundimtare do të bëhen pas pranimit të rezultateve laboratorike, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, tha AUV.

Kjo agjenci tha se inspektimi u krye për të verifikuar përputhshmërinë e aktivitetit të kompanisë me standardet e sigurisë ushqimore. Ajo tha se ka marrë mostra të qumështit që ka afat të gjatë përdorimi, të qumështit pluhur dhe të vajit të palmës, që janë dërguar për analiza laboratorike.

Agjencia e Ushqimit tha se gjatë kontrollit fizik të objektit gjeti mospërputhje me ligjet në fuqi.

“Është evidentuar se operatori ushtron veprimtari të përpunimit të qumështit në bazë të autorizimit përkatës, ndërsa në objekt janë instaluar edhe linja për prodhimin e produkteve me origjinë shtazore dhe me bazë qumështi, duke përdorur qumësht pluhur, vaj palme dhe lëndë të tjera ndihmëse. Po ashtu, subjekti disponon sasi të konsiderueshme të lëndëve të para dhe produkteve, përfshirë qumësht UHT, qumësht pluhur, proteina qumështi, hirrë qumështi dhe vaj palme”, u tha në njoftim.

Gjithashtu, agjencia tha se fabrika nuk posedon autorizim të veçantë për prodhimin dhe përpunimin e produkteve me bazë yndyrash bimore dhe proteinash qumështi “për qëllime të deklaruara në etiketim, ndërsa disa elemente të procesit kërkojnë vlerësim të mëtejshëm nga autoritetet kompetente”.

Më 3 korrik, në një konferencë për media, nga “Vita” thanë se vaji i palmës përdoret për produktin Holla, e jo “Vita”, duke shtuar se prodhimi i tyre është proces krejtësisht i ndarë.

Përfaqësuesi ligjor i kompanisë, Lekë Sahatqiu, tha se produktet e kompanisë janë të sigurta për konsum dhe kanë licenca për cilësi, si vendore ashtu edhe ndërkombëtare.

Drejtori i përgjithshëm i fabrikës “Vita”, Artan Spahija, tha se AUV kishte marrë mostra për të njëjtat produkte edhe më 17-18 prill, duke i kërkuar institucioneve që t’i publikojnë ato.

Ndërkaq, udhëheqësi i Holla-s, Musa Berisha, tha se edhe produkte të tjera në Kosovë kanë vaj palme.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.