Eurodeputeti Waitz: Natyra mund t’i sjellë miliona Maqedonisë së Veriut
Pasuritë natyrore dhe parqet kombëtare të Maqedonisë së Veriut mund të shndërrohen në një potencial të fuqishëm për turizmin dhe zhvillimin ekonomik, vlerësoi eurodeputeti dhe raportuesi i Parlamentit Evropian për vendin, Thomas Waitz. Duke...
Pasuritë natyrore dhe parqet kombëtare të Maqedonisë së Veriut mund të shndërrohen në një potencial të fuqishëm për turizmin dhe zhvillimin ekonomik, vlerësoi eurodeputeti dhe raportuesi i Parlamentit Evropian për vendin, Thomas Waitz.
Duke folur në Komitetin e Përbashkët Parlamentar BE–Maqedonia e Veriut, Waitz theksoi se ndryshimet klimatike po bëhen gjithnjë e më të dukshme, përmes valëve të të nxehtit, thatësirave dhe zjarreve.
Sipas tij, krahas reduktimit të emetimeve, vendet duhet të përshtaten me ndryshimet klimatike, të cilat tashmë po ndikojnë në shëndetin e njerëzve, bujqësi, transport dhe infrastrukturë.
Waitz veçoi Maqedoninë e Veriut si një vend me potencial të madh për turizmin natyror dhe zhvillimin e ekonomive lokale, falë natyrës dhe parqeve kombëtare.
Në takim, deputetja Dragana Arsova foli për përafrimin e legjislacionit mjedisor me standardet e BE-së. Ajo bëri të ditur se rrjeti për monitorimin e ajrit është zgjeruar në 23 stacione automatike, ndërsa janë identifikuar 24 zona potenciale për rrjetin “Natura 2000”, që mbulojnë rreth 12% të territorit.
Gjithashtu po përgatitet Ligji i ri për Natyrën, ndërsa Propozim-ligji për Veprimin Klimatik parashikon mekanizma për monitorimin e emetimeve dhe krijimin e kushteve për arritjen e neutralitetit klimatik në afat të gjatë.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.