Familjari i Thaçit: Dita e djeshme na doli idhnim, krejt shqiptaria në zi
Me shpresën se vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë do të sillte lirimin e katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjarë dhe mbështetës të tyre e kanë përcjellë ditën e vendimit. Por, për Milazim Thaçin, familjar i ish-pr...


Me shpresën se vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë do të sillte lirimin e katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjarë dhe mbështetës të tyre e kanë përcjellë ditën e vendimit. Por, për Milazim Thaçin, familjar i ish-presidentit Hashim Thaçi, pritja përfundoi me dhimbje dhe zhgënjim.
Milazim Thaçi në Burojë ka rrëfyer përjetimin e momentit kur u shpall vendimi, duke thënë se familja kishte pritur me shpresë një rezultat tjetër.
“Ne dje me shpresë, ata të katërtit se po lirohen, por nuk na doli ashtu, doli idhnim. Është në zi Kosova e krejt shqiptaria. Ata e kanë ruajtur shtëpinë e tyre, familjen dhe Kosovën, nuk kanë dalë me thënë po shkojmë në Serbi. Po Serbia na ka ardhur këtu, na ka sulmuar, dhunuar, kallur e plaçkitë, të gjitha të zezat na ka bë e sot me dalë ata me u end nëpër Serbi e Evropë e tonë me na dërgu në Hagë, kjo është padrejtësi e madhe. Ajo Evropë, që e ka ndarë tokën shqiptare, ajo është edhe sot, marre ju qoftë atyre gjyqtarëve. Kemi pritur e jemi mërzitur”, tha ai, raporton “Kosovapress”.
Thaçi tha se momenti i shqiptimit të vendimit ishte veçanërisht i rëndë për familjen, ndërsa shpresat tani i ka te procesi i apelit.
“Zoti e di, gati më ka lëshuar shpirti. Në atë moment, më keq më, a beson gogja moti mërzi kështu nuk kam pasur. Këta po japin shpresë në Apel, shpresoj i lirojnë, e vijnë te familja e vet, nana e vet. Halla ratë është, ajo nuk di ende asgjë, më mirë që nuk e di, por në pritje është. Ata jo se janë dënuar, por krejt Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe krejt shqiptarët kudo që janë. Ata kanë qenë çlirimtarë, nuk kanë qenë grabitqarë”, tha ai.
Milazim Thaçi kritikoi institucionet e Kosovës, duke kërkuar angazhim më të madh për ish-krerët e UÇK-së dhe duke bërë thirrje për bashkim.
“Shteti nuk ka bërë hiç punë. Ju lutem shtetit e krejt kush ia do të mirën shqiptarisë e UÇK-së, e kemi trenin e fundit të bëjmë sa më shumë e me i lirua ata çlirimtarë. Ata të gjitha i kanë dhënë për Kosovë. Duhet me u bashkua i gjithë populli shqiptar për të gjitha. Ajo është marri e madhe, duhet me u bashku, se sa të jemi te bashkuar jemi më të fortë. Kështu ndaras nuk ka lezet. Mos të flasim keq për njëri-tjetrin, ju kisha lut si vëllezër e shokë”, u shpreh ai.
Ai tregoi edhe për një nga kujtimet që ruan nga Hashim Thaçi, duke përmendur një takim pas luftës dhe një bisedë me të.
“Be ka bë nana e vet, kur ka ardhë një herë, nuk kena mundur çizmet me ia heq prej këmbëve, derisa kanë ndez zjarrin dhe e kanë nxehur atëherë i ka heq. Jakupi ka qenë edhe në burg të Jugosllavisë, tash edhe këtu, më është dhimbsur shumë se është i moçëm. Me presidentin Thaçi, kur jemi pa pas lufte, erdh me një veturë dhe më tha ‘O baca Mil’, e çeli derën, i thashë ‘mos dil’, tha ‘po Zoti të lashtë shnosh për të gjitha viktimat në Izbicë’. Edhe një herë isha me babën e Hashimit në arë, erdh ai foli me mua, thashë të çohem, tha pa e pi një kafe nuk do shkosh. Dhe shumë herë të tjera, edhe kur u bë kryeministër dhe president. Na u ka dhimbtë shumë”, tha ai.
Ish-presidenti Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ndërsa, Jakup Krasniqi me 25 vjet, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.