Fatjona Geci ka reaguar ndaj publikimeve ku emri i saj është përmendur në lidhje me pretendimet për përfitime financiare nga BDI-ja, duke i kundërshtuar ato dhe duke sqaruar se paga e saj nuk financohet nga partia.
Në reagimin e saj, Geci fillimisht ka kritikuar pasaktësinë në shkrimin e emrit të saj, duke theksuar se emri i saktë është Fatjona dhe jo „Fatijona”.
„Si fillim, emrin e kam Fatjona, jo ‘Fatijona’, sepse, me sa duket, aq të ‘saktë’ e keni informacionin, saqë edhe emrin tim e keni shkruar gabim!”, ka deklaruar Geci.
Ajo ka thënë se kohëve të fundit emri i saj është përmendur në kontekste të ndryshme nga persona të ndryshëm, por se deri më tani ka zgjedhur të mos reagojë, duke i konsideruar të panevojshme debatet publike.
Megjithatë, Geci ka theksuar se këtë herë ka vendosur të sqarojë pozicionin e saj dhe burimin e pagës.
„Unë jam drejtoreshë e Qendrës Analitike-Hulumtuese ‘Abdilaqim Ademi’, e cila ka buxhet të pavarur, pra ka buxhet që akordohet nga shteti. Rroga ime nuk paguhet nga BDI-ja, por nga institucioni që drejtoj”, ka sqaruar ajo.
Në fund të reagimit, Geci ka përdorur edhe një ton ironik ndaj pretendimeve për nivelin e pagës së saj.
„More, ju ‘bëfshi hajër’, se ndoshta një ditë do ta arrijmë edhe ne këtë nivel page. Deri atëherë, do të sqarohemi rrugës!”, ka përfunduar Geci.
Reagimi i saj vjen në vazhdën e demantimeve nga disa përfaqësues të BDI-së, emrat e të cilëve janë përmendur në publikimet e fundit lidhur me pretendimet për pagesa dhe përfitime financiare nga subjekti politik. Gazeta Flaka
The post Fatjona Geci reagon pas publikimeve: Jam drejtoreshë e një institucioni me buxhet të pavarur appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.




