Faton Ahmeti ka reaguar publikisht ndaj një lajmi të publikuar në media, duke e cilësuar atë si të pavërtetë dhe duke paralajmëruar masa ligjore ndaj portalit që e ka publikuar.
Në reagimin e tij, Ahmeti thotë se e demanton kategorikisht informacionin, duke akuzuar median për shpifje dhe keqpërdorim të emrit të tij për qëllime politike.
“Meqenëse ‘tregu’ mediatik menaxhon si me informata, ashtu edhe me dezinformata, e demantoj kategorikisht këtë lajm. Shpifjet dhe keqpërdorimin e emrit tim për qëllimet tuaja politikante dhe të ulëta nuk ua kam borxh dhe nuk do t’i toleroj”, deklaron Ahmeti.
Ai sqaron se aktualisht ushtron funksionin e Shefit të Kabinetit të Kryetarit të BDI-së dhe është njëkohësisht nënkryetar i kësaj partie. Sipas tij, angazhimet politike nuk i lënë hapësirë për ndonjë punë tjetër me orar të plotë.
Ahmeti thekson se nuk është deputet, këshilltar, bartës i ndonjë funksioni tjetër publik dhe as pronar biznesi, ndërsa mohon të marrë pagë nga ndonjë institucion apo subjekt tjetër.
“Paga ime në parti është e ligjshme, publike dhe e verifikueshme, si dhe shumëfish më e ulët se shuma që ju pretendoni. Ajo financohet nga mjetet që partitë politike përfitojnë nga buxheti i shtetit për funksionimin dhe mbarëvajtjen e veprimtarisë së tyre”, shprehet ai.
Në fund, Ahmeti i ka bërë thirrje portalit që ka publikuar informacionin ta përgënjeshtrojë atë publikisht dhe të kërkojë falje, duke paralajmëruar se në të kundërtën do të ndjekë rrugë ligjore.
Ndërkohë, Flaka sqaron se informacioni i publikuar nga redaksia është verifikuar nga burimet e saj. Redaksia mbetet e hapur për publikimin e çdo dokumenti, dëshmie apo sqarimi relevant që ndihmon në ndriçimin e plotë të çështjes.
The post Faton Ahmeti demanton kategorikisht informacionin, duke akuzuar median për shpifje appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.




