Publikimi i të dhënave nga platforma shtetërore Open Finance ka nxitur një debat publik mes drejtorit të Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Granit Osmani, dhe gazetarit Rami Musliu, pas raportimeve për pagesat e realizuara ndaj Silvete Muhamed Osmanit nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve.

Redaksia e Flakës ka verifikuar informacionin në platformën zyrtare Open Finance, ku kërkimi sipas emrit të Silvete Muhamed Osmanit dhe institucionit pagues paraqet të dhëna për pagesa të realizuara nga Ministria e Politikës Sociale.

Kështu, ekzistenca e transaksioneve të regjistruara në platformën publike nuk është thjesht pretendim i një portali apo gazetari, por informacion që mund të kontrollohet drejtpërdrejt në sistemin zyrtar të financave publike.

Çfarë tregojnë të dhënat dhe çfarë mbetet për t’u sqaruar?

Sipas të dhënave të publikuara në Open Finance, pagesat janë të regjistruara në emër të Silvete Muhamed Osmanit, me Ministrinë e Politikës Sociale si institucion pagues. Kjo e bën të verifikueshme pjesën thelbësore të raportimit: pagesat nga buxheti publik ndaj personit në fjalë.

Megjithatë, duhet bërë një dallim i rëndësishëm: regjistrimi i pagesave në Open Finance dëshmon transaksionet financiare, por nuk mjafton vetvetiu për të përcaktuar natyrën e angazhimit, bazën juridike të pagesave, përshkrimin e punës apo nëse bëhet fjalë për pagë mujore në kuptimin e marrëdhënies së rregullt të punës.

Pikërisht këtu qëndron edhe çështja që kërkon përgjigje institucionale.

Granit Osmani, në reagimin e tij publik, i ka cilësuar pretendimet si të pavërteta, tendencioze dhe cenim të reputacionit, duke paralajmëruar procedurë gjyqësore për shpifje. Ai ka kërkuar tërheqjen e publikimit, përgënjeshtrim dhe kërkimfalje publike.

“Deklarimet dhe pretendimet e publikuara te Rami Mislimit janë të pavërteta, tendencioze dhe cenojnë drejtpërdrejt dinjitetin, integritetin dhe reputacionin tim. Është e papranueshme që përmes publikimeve të tilla, pa verifikim të fakteve dhe pa asnjë bazë të vërtetuar, të ndërtohen narrativa që synojnë të njollosin emrin tim dhe të krijojnë perceptim të rremë në opinionin publik.
E bëj të qartë se nuk do të lejoj që shpifjet dhe manipulimet të përdoren si instrument për sulme personale apo për përfitime politike. Për këtë arsye, kërkoj nga autori i publikimit që:
1. Të tërheqë menjëherë pretendimet e pavërteta të publikuara.
2. Të publikojë një përgënjeshtrim dhe kërkimfalje publike, në të njëjtën hapësirë dhe me dukshmëri të barabartë me publikimin fillestar, brenda 15-të ditëve. Në të kundërtën, pa paralajmërim të mëtejshëm, do të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe do të inicioj procedurë gjyqësore për shpifje dhe cenim të reputacionit, duke kërkuar edhe kompensimin përkatës të dëmit. Liria e shprehjes është e drejtë demokratike, por ajo nuk është licencë për shpifje. Kritika është e mirëpritur, por përgjegjësia për atë që publikohet është e pashmangshme. Nuk kërkoj privilegj, por respektimin e së vërtetës dhe të ligjit”.

Nga ana tjetër, gazetari Rami Musliu ka kundërshtuar këtë qëndrim, duke iu referuar të dhënave të Open Finance dhe duke kërkuar që drejtori të përgjigjet nëse pagesat e regjistruara janë apo nuk janë reale.

“Përgjigje drejtorit të VLEN-it, Granit Osmanit! Unë mund të kërkoj falje Granit, por ma thuaj: a është e vërtetë apo jo? I nderuar drejtor, sinqerisht më vjen keq për shqetësimet. E para, nuk jam autori i parë që e kam publikuar këtë çështje, por edhe sikur të isha, do të isha përgjigjur. Meqë më ke përmendur emrin, po të përgjigjem në mënyrën më demokratike. Në reagimin tënd nuk e mohon se familjarisht keni kontrata në vepër nga Ministria e Politikës Sociale. Nuk e mohon se nuk është bashkëshortja yte. Vetëm ikja nga kjo çështje është dëshmi se keni përfituar nga taksat e qytetarëve familjarisht. E dyta, dhe më e fuqishmja, as unë dhe as qytetarët nuk e kemi krijuar platformën “Open Finance”. Aty shihet qartë një dëshmi me emër e mbiemër, me datë dhe shumë fikse mujore. As nuk është montazh dhe as unë nuk kam mundur ta krijoj. Është shumë e thjeshtë, çdo qytetar mund të shohë se si shpenzohen paratë e popullit për funksionarët që i kanë votuar. Ti mund të padisësh këdo, por së pari duhet të padisësh krijuesit e “Open Finance”, pastaj portalin që e ka publikuar dhe në fund mua. Por, meqë ke vendosur kështu, unë nuk mund ta ndaloj askënd që të më dërgojë në sallat e gjyqit. Vetëm mos harro se nëse është e vërtetë, atëherë turpi do të dyfishohet. Unë të kërkoj falje vetëm për shqetësimet, sepse nuk jam tip që shqetësoj, por meqë jeni në politikë, nuk është faji im e as i popullit! Shihemi në gjyq, por për çka se? Në këtë përplasje, një element është thelbësor: debati nuk mund të zgjidhet vetëm përmes kërcënimeve me padi apo kundërpërgjigjeve publike. Të dhënat financiare publike duhet të sqarohen me dokumentacion dhe përgjigje konkrete nga institucionet përgjegjëse.

Pyetjet që presin përgjigje

  • Për çfarë shërbimesh apo angazhimi janë realizuar pagesat ndaj Silvete Muhamed Osmanit?
  • Cila është baza juridike e këtyre pagesave?
  • Sa është shuma e përgjithshme e përfituar dhe për cilën periudhë?
  • A ekziston kontratë në vepër dhe cilat janë detyrimet e përcaktuara në të?
  • Cilat shërbime janë kryer konkretisht dhe kush i ka mbikëqyrur apo pranuar ato?

Këto janë pyetje legjitime, veçanërisht kur bëhet fjalë për shpenzimin e parasë publike.

Flaka Verifikon: Të dhënat e Open Finance për pagesat ndaj Silvete Muhamed Osmanit janë të kontrollueshme në platformën zyrtare. Ato nuk mund të rrëzohen me një deklaratë politike dhe as të interpretohen përtej asaj që dëshmojnë dokumentet.

Transparenca e parasë publike nuk është sulm personal. Është detyrim institucional. Ndërsa përgjegjësia për të sqaruar se për çfarë paguhen paratë e taksapaguesve i takon institucionit që i shpenzon ato.

Burimi primar: Open Finance – kërkimi i pagesave. Gazeta Flaka

The post Flaka Verifikon: Open Finance konfirmon pagesat për Silvete Muhamed Osmanin appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.