FSK stërvitet së bashku me ushtarët e Kroacisë, Sllovenisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka marrë pjesë për herë të parë në trajnimin për zhvillimin e liderëve të rinj ushtarakë, të organizuar në Qendrën “Marko Babić” të Ushtrisë Kroate. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqe...


Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka marrë pjesë për herë të parë në trajnimin për zhvillimin e liderëve të rinj ushtarakë, të organizuar në Qendrën “Marko Babić” të Ushtrisë Kroate.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili njoftoi se trajnimi u përmbyll me një marshim taktik prej 88 kilometrash, nga Udbina deri te Kalaja e Kninit.
Në këtë trajnim, ushtarakët e FSK-së u stërvitën së bashku me kolegë nga Kroacia, Sllovenia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Maqedonci e vlerësoi këtë përvojë si të rëndësishme për zhvillimin e kuadrove ushtarake dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
“Kjo përvojë avancon aftësitë e kuadrove tona dhe forcon bashkëpunimin ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë”, ka shkruar Maqedonci, duke falënderuar homologun e tij kroat, Ivan Anušić, dhe Ushtrinë Kroate për bashkëpunimin.
Postimi i plotë:
Pas marshimit taktik prej 88 kilometrash nga Udbina deri te Kalaja e Kninit, u përmbyll trajnimi për zhvillimin e liderëve të rinj ushtarakë në Qendrën “Marko Babić” të Ushtrisë Kroate.
Për herë të parë, në këtë trajnim mori pjesë edhe FSK-ja. Ushtarakët tanë u stërvitën së bashku me kolegë nga Kroacia, Sllovenia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi—numri më i madh i pjesëmarrësve të huaj deri më tani.
Marshimi përmbyllës kishte edhe domethënie simbolike, duke nderuar historinë dhe sakrificën e popullit kroat gjatë Luftës Atdhetare. Programi kërkues zhvillon qëndrueshmërinë fizike dhe mendore, lidershipin dhe aftësinë për të marrë vendime në rrethana sfiduese.
Përgëzoj ushtarakët tanë për përfaqësimin e denjë. Kjo përvojë avancon aftësitë e kuadrove tona dhe forcon bashkëpunimin ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë. Falënderoj homologun tim, Ivan Anušić, dhe Ushtrinë Kroate për këtë bashkëpunim të rëndësishëm.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.