Ftesa e Haxhiut për liderët partiakë për takim konsultativ për Presidentin, kjo është letra që ia dërgoi Bedri Hamzës
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, iu ka dërguar ftesa liderëve partiakë për një takim të përbashkët “konsultativ” për të diskutuar për çështjen e Presidentit. Takimi u thirr me datën 18 gusht, ditë e martë, nga ora 9.00,...


Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, iu ka dërguar ftesa liderëve partiakë për një takim të përbashkët “konsultativ” për të diskutuar për çështjen e Presidentit.
Takimi u thirr me datën 18 gusht, ditë e martë, nga ora 9.00, në Zyrën e Presidentes.
Në letrën dërguar kryetarit të PDK’së, Bedri Hamza, Haxhiu flet për “rëndësinë e arritjes” së një marrëveshje për Presidentin.
“Në cilësinë e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes të Republikës së Kosovës, ju ftoj në një takim konsultativ në lidhje me zhvillimet aktuale politike, institucionale dhe rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për Presidentin konsensual, rrjedhimisht dhe formimin e institucioneve të tjera kushtetuese”.
Haxhiu i ka kërkuar Hamzës konfirmimin e pjesëmarrjes së tij ose të një përfaqësuesi të partisë.
Roli “unifikues” i Haxhiut me shpërndarjen e këtyre ftesave erdhi pas një deklarate të shefit të saj të partisë, Albin Kurti, i cili tregoi se ajo s’është “duke u kënaqur” në Presidencë.
“E kemi edhe ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, e cila është shumë e angazhuar dhe e interesuar që kjo të marrë fund. Albulena nuk është një person e cila është duke u kënaqur në pozitën e ushtrueses së detyrës së Presidentes. Ajo është shumë e interesuar që këtë ta marrë një figurë unifikuese, për të cilën merremi vesh të gjithë ne bashkë”, kishte thënë Kurti dje.
Partitë ende nuk i kanë bërë publike përgjigjet e tyre ndaj kësaj ftese.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.