Fund kontratave në institucionet shtetërore, mijëra të angazhuar do të kenë mundësi për punësim të përhershëm
Personat që prej vitesh punojnë në institucionet shtetërore me kontratë pune, kontratë autori ose përmes agjencive për punësim të përkohshëm, mund të marrin status të rregullt pune me kohë të pacaktuar. Kjo parashihet në Projektligjin për t...
Personat që prej vitesh punojnë në institucionet shtetërore me kontratë pune, kontratë autori ose përmes agjencive për punësim të përkohshëm, mund të marrin status të rregullt pune me kohë të pacaktuar. Kjo parashihet në Projektligjin për transformimin në marrëdhënie të rregullt pune, i cili është dorëzuar në procedurë nga VMRO-DPMNE dhe VLEN.
“Sot, në cilësinë e Koordinatorit të Grupit Parlamentar të VLEN-it, nënshkrova dhe dorëzova Propozim-Projektligjin për transformimin e marrëdhënies së punës në marrëdhënie të rregullt pune, duke ndërmarrë një hap konkret drejt zgjidhjes së një problemi që ka prekur mijëra qytetarë për shumë vite. Punonjësit e administratën meritojnë dinjitet dhe siguri. Koha kur ata shfrytëzoheshin si makineri votimi, shantazhoheshin me vendin e punës dhe bukën e gojës, ka marrë fund! Prandaj, ky propozim është edhe një hap drejt dinjitetit dhe sigurisë për të gjithë ata që prej vitesh presin zgjidhjen e këtij problemi”, deklaroi koordinatori i VLEN, deputeti Bekim Qoku.
Projektligji përfshin disa institucione të sektorit publik, përfshirë organet e pushtetit shtetëror, institucione të caktuara publike në shëndetësi, kulturë, mbrojtjen e fëmijëve dhe sociale, komunat, ndërmarrjet publike, institutet dhe fondet.
Të drejtën për transformim do ta kenë personat që kanë kontratë të vlefshme në ditën e hyrjes në fuqi të ligjit dhe kontrata e të cilëve mbetet në fuqi në momentin e transformimit. Kjo do të thotë se nuk përfshihen automatikisht të gjithë ata që kanë punuar ndonjëherë me kontratë, por vetëm personat që plotësojnë kushtet e përcaktuara me ligj.
Nga zbatimi përjashtohen, ndër të tjera, shoqëritë aksionare, shkollat fillore dhe të mesme, institucionet e arsimit të lartë dhe shkencore, Ministria e Punëve të Brendshme, shërbimet e sigurisë dhe institucione të tjera të përcaktuara me projektligj.
Institucionet do të kenë 90 ditë nga hyrja në fuqi e ligjit për të lidhur kontratat ose për të miratuar vendimet për punësim.
Transformimi do të bëhet në faza. Për deri në 50 për qind të personave të përfshirë, kontratat ose vendimet do të hyjnë në fuqi menjëherë pas nënshkrimit, ndërsa për pjesën tjetër afati përfundimtar është 31 dhjetor 2027.
Projektligji parashikon gjithashtu mbrojtje për punonjësit gjatë procedurës së transformimit. Institucionet nuk do të mund t’ua ndërpresin kontratat para se të hyjnë në fuqi vendimet për punësim, përveç rasteve të shkeljes së detyrimeve kontraktuale në përputhje me ligjin.
Qëllimi i ligjit është jo vetëm të zgjidhet problemi i personave të angazhuar aktualisht me kontrata afatgjata, por edhe të parandalohet përsëritja e kësaj praktike në të ardhmen.
Projektligji duhet të kalojë procedurën ligjore, ndërsa zbatimi konkret do të varet nga miratimi dhe hyrja e tij në fuqi./Shenja.tv
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.