“Garanci, por edhe reciprocitet” – Mucunski për zgjidhjen me Bullgarinë
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ka theksuar se dy bazat kryesore për një zgjidhje të qëndrueshme me Bullgarinë nuk përfshijnë vetëm garanci se ndryshimet kushtetuese do të jenë kushti i fundit për vendi...
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ka theksuar se dy bazat kryesore për një zgjidhje të qëndrueshme me Bullgarinë nuk përfshijnë vetëm garanci se ndryshimet kushtetuese do të jenë kushti i fundit për vendin jashtë kritereve të Kopenhagës, por edhe reciprocitet të plotë në lidhje me të drejtat e maqedonasve në Bullgari.
Në një intervistë për TV Sitel, shefi i diplomacisë maqedonase vuri në dukje se nëse pala bullgare kërkon përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë, ajo duhet patjetër të respektojë edhe vendimet e Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) që adresojnë të drejtat e pakicës maqedonase në Bullgari.
Duke e cilësuar kornizën aktuale si të paqëndrueshme në planin afatgjatë, Mucunski paralajmëroi se një zgjidhje e paplotë rrezikon ta ekspozojë vendin ndaj bllokadave të reja nga lindja brenda një kohe të shkurtër.
“Qëllimi ynë është të gjejmë një zgjidhje, por jo një zgjidhje që përsëri do të na vendosë në të njëjtin pozicion për disa javë apo muaj. Një zgjidhje e tillë është e papranueshme”, deklaroi prerazi Mucunski, duke kërkuar një qasje serioze dhe të balancuar në negociata.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.