Gashi: Marrëveshja Kornizë e Ohrit vendosi paqen, dialogun dhe barazinë e një shoqërie të qëndrueshme
Marrëveshja Kornizë e Ohrit vendosi paqen, dialogun dhe barazinë në themel të ndërtimit të një shoqërie të qëndrueshme. Përgjegjësia jonë sot është të ndërtojmë mbi mësimet e saj dhe t’i përkthejmë ato në standarde të qëndrueshme të demokra...
Marrëveshja Kornizë e Ohrit vendosi paqen, dialogun dhe barazinë në themel të ndërtimit të një shoqërie të qëndrueshme. Përgjegjësia jonë sot është të ndërtojmë mbi mësimet e saj dhe t’i përkthejmë ato në standarde të qëndrueshme të demokracisë dhe bashkëjetesës, thotë Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, me rastin e shënimit të përvjetorit të marrëveshjes.
“Derisa sot shënojmë përvjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, kujtojmë një nga momentet më të rëndësishme në historinë bashkëkohore të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo marrëveshje, ishte përgjigje politike dhe institucionale ndaj një krize që kërkonte përgjegjësi, dialog dhe vizion për të ardhmen. Mbi të gjitha, ajo vendosi paqen, dialogun dhe barazinë në themel të ndërtimit të një shoqërie të qëndrueshme. Njëzet e pesë vjet më vonë, rëndësia e saj duhet parë përtej dallimeve politike dhe interpretimeve të përditshme. Marrëveshja e Ohrit mbetet një shtyllë e rëndësishme e arkitekturës kushtetuese dhe institucionale të shtetit tonë. Përgjegjësia jonë sot është të ndërtojmë mbi mësimet e saj dhe t’i shndërrojmë ato në standarde të qëndrueshme të demokracisë dhe bashkëjetesës”, citohet në kumtesën e kryeparlamentarit Gashi.
Republika e Maqedonisë së Veriut, thekson ai, është shtëpi e përbashkët e të gjithë qytetarëve të saj, ndërsa orca e saj nuk qëndron te dallimet që na ndajnë, por te aftësia për t’i kthyer ato në vlerë të përbashkët.
“Pas çerek shekulli, pyetja që duhet t’i bëjmë vetes nuk është më se çfarë kemi arritur, por çfarë na ka mbetur që t’u lëmë brezave që vijnë, shtetin që duam. Prandaj, le të jetë ky përvjetor një zotim i përbashkët: Brezi i sotëm politik dhe insitucionet ta ruajnë paqen me dialog, ta forcojmë barazinë dhe ta ndërtojmë bashkëjetesën me vepra. Çdo brez i ardhshëm ta trashëgojë Marrëveshjen e Ohrit si një pikë kthese në histori, dhe si një vlerë e gjallë e shtetit. Ndërsa qytetarët janë ata që kanë forcën që ta jetësojnë çdo ditë”, porosit kryetari i Kuvendit Afrim Gashi.
The post Gashi: Marrëveshja Kornizë e Ohrit vendosi paqen, dialogun dhe barazinë e një shoqërie të qëndrueshme appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.