Georgievski trondit me deklaratën: VMRO-ja vrau mbretin Karagjorgjeviq, sot festohet dinastia e tij në Maqedoninë e Veriut!
Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Ljubço Georgievski, ka reaguar me rastin e 92-vjetorit të atentatit ndaj mbretit jugosllav Aleksandri I Karagjorgjeviq, i cili u vra më 9 tetor 1934 në qytetin francez të Marsejës. Georgievski ka kri...
Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Ljubço Georgievski, ka reaguar me rastin e 92-vjetorit të atentatit ndaj mbretit jugosllav Aleksandri I Karagjorgjeviq, i cili u vra më 9 tetor 1934 në qytetin francez të Marsejës.
Georgievski ka kritikuar përfaqësuesit e sotëm të VMRO-DPMNE-së për qëndrimin e tyre ndaj dinastisë Karagjorgjeviq, duke vënë në pah kundërshtitë mes veprimtarisë historike të VMRO-së dhe politikave të sotme.
“Në këtë ditë, VMRO-ja vrau mbretin jugosllav Karagjorgjeviq si ndëshkim për krimet ndaj popullit maqedonas. Sot në Maqedoni festojmë tetë ngjarje për nder të dinastisë së tij”, ka shkruar Georgievski në Facebook.
Ai ka shtuar me ironi se, duke marrë parasysh qëndrimet politike të përfaqësuesve aktualë të VMRO-DPMNE-së, ka ardhur koha që 9 tetori të shpallet Ditë Zie.
Atentati historik në Marsejë
Atentati ndaj mbretit Aleksandër u krye nga Vlado Çernozemski, emri i vërtetë i të cilit ishte Veliçko Dimitrov Kerin. Ai lindi në vitin 1897 në fshatin Kamenicë, sot pjesë e Velingradit në Bullgari, jashtë rajonit gjeografik të Maqedonisë.
Çernozemski ishte pjesëtar i VMRO-së nën udhëheqjen e Ivan Mihajllovit dhe njihej me pseudonimin “Vlado Shoferi”.
Atentati u organizua në bashkëpunim ndërmjet VMRO-së dhe lëvizjes kroate ustashe. Më 9 tetor 1934, gjatë vizitës zyrtare të mbretit Aleksandër në Francë, Çernozemski qëlloi për vdekje monarkun jugosllav. Nga sulmi humbi jetën edhe ministri francez i Punëve të Jashtme, Louis Barthou.
Mbreti Aleksandër konsiderohej simbol i monarkisë jugosllave, nën sundimin e së cilës në Maqedoninë e Vardarit zbatoheshin politika të serbizimit dhe kufizimit të identitetit kombëtar maqedonas.
Përmes reagimit të tij, Georgievski bën një krahasim ndërmjet luftës historike të VMRO-së kundër monarkisë jugosllave dhe qëndrimit të sotëm ndaj trashëgimisë së dinastisë Karagjorgjeviq.
Megjithatë, ish-kryeministri nuk ka sqaruar se cilat janë tetë ngjarjet që, sipas tij, organizohen në Maqedoninë e Veriut për nder të kësaj dinastie.
“VestiMak”
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.