Gjykata Supreme anuloi vendimin për “Llaskarcën”, Apeli do të vendosë përsëri

Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit në Shkup për aksidentin e autobusit afër Llaskarcës dhe e ka kthyer lëndën në rigjykim dhe rivendosje, përcjell INA. Vendimi është sjellë në seancën e Këshil...

shtator 11, 2026 - 09:00
Gjykata Supreme anuloi vendimin për “Llaskarcën”, Apeli do të vendosë përsëri

Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit në Shkup për aksidentin e autobusit afër Llaskarcës dhe e ka kthyer lëndën në rigjykim dhe rivendosje, përcjell INA.

Vendimi është sjellë në seancën e Këshillit për vepra penale më 9 shtator, pasi janë pranuar kërkesat për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit të plotfuqishëm, të parashtruara nga të dënuarit përmes mbrojtësve të tyre.

Bëhet fjalë për aktgjykimin e prillit të vitit 2025, me të cilin Apeli ua rriti dënimet një pjese të gjashtë të dënuarve. Pronarit të “Durmo Turs”, Durmish Beluli, dënimi iu rrit nga katër në dhjetë vjet burg, ndërsa përgjegjësit për transport, Remzi Miftari, nga gjashtë në dhjetë vjet. Igor Gjorgjievski dhe Goran Dukovski morën nga shtatë vjet burg, Jane Bovarovski mbeti me dënim prej pesë vjetësh, kurse shoferi Manoil Trifunovski me 14 vjet burg.

Aktgjykimi i shkallës së parë është sjellë në janar të vitit 2024.

Aksidenti afër Llaskarcës ka ndodhur në shkurt të vitit 2019, kur një autobus i “Durmo Turs” doli nga autostrada Shkup – Tetovë. Humben jetën 16 pasagjerë, ndërsa më shumë se 30 u lënduan.

Me vendimin e Gjykatës Supreme nuk është sjellë vendim i ri përfundimtar për fajësinë dhe dënimet. Lënda kthehet në Gjykatën e Apelit në Shkup, e cila do të duhet të veprojë dhe të vendosë sërish. (INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.