Gjykimi për “Lotarinë Shtetërore”: Artan Grubi dhe Përparim Bajrami sërish para gjykatës
Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot vazhdon procesi gjyqësor për rastin “Lotaria Shtetërore”, ku në mesin e të akuzuarve janë ish-zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, si dhe g...
Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot vazhdon procesi gjyqësor për rastin “Lotaria Shtetërore”, ku në mesin e të akuzuarve janë ish-zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, si dhe gjashtë persona të tjerë.
Seanca e fundit u mbajt më 30 tetor, kur dëshmoi Andrej Krstevski, ish-anëtar i Këshillit Drejtues dhe Mbikëqyrës të Lotarisë Shtetërore, si dhe ish-zëvendësdrejtor i këtij institucioni.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të Prokurorisë lidhur me furnizimin e terminaleve VLT, Krstevski deklaroi se për idenë e këtij projekti ishte informuar personalisht nga Përparim Bajrami, ndërsa për procedurën e realizuar kishte marrë vesh vetëm pasi ajo kishte përfunduar, nga anëtarë të komisioneve përgjegjëse.
Ndërkohë, më 3 nëntor, Këshilli Penal i Gjykatës Themelore Penale në Shkup ia hoqi masën e paraburgimit Përparim Bajramit, duke pranuar garanci në patundshmëri në vlerë prej 1.140.781 eurosh. Krahas garancisë, atij i janë caktuar edhe masa kujdesi, përfshirë marrjen e dokumentit të udhëtimit dhe detyrimin për t’u paraqitur rregullisht në gjykatë.
Përveç Grubit dhe Bajramit, në këtë rast janë të akuzuar edhe Bashkim Avdi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski dhe Aleksandar Dimitrioski.
Sipas aktakuzës, tetë të akuzuarit, duke tejkaluar autorizimet zyrtare, dyshohet se i kanë shkaktuar dëm Lotarisë Shtetërore në vlerë prej 596.125.511 denarësh, apo rreth 9.7 milionë euro.
Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar se nuk ndihen fajtorë. Aktakuzën e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, ndërsa procesin gjyqësor e udhëheq gjykatësja Biljana Shuplinovska-Jov evski.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.