Glorifikoi Mlladiqin, tetë organizata qytetare kërkojnë dorëheqjen urgjente të Kitanoviqit
Tetë organizata të shoqërisë civile i dërguan kërkesë Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për rishqyrtimin e menjëhershëm të përgjegjësisë dhe shkarkimin e drejtorit të Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komun...
Tetë organizata të shoqërisë civile i dërguan kërkesë Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për rishqyrtimin e menjëhershëm të përgjegjësisë dhe shkarkimin e drejtorit të Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, përcjell INA.
Prej aty thonë se arsyeja e kërkesës është postimi i shpërndarë publikisht nga drejtori në të cilin, nën mesazhet „Për kryqin e nderuar dhe lirinë e artë” dhe „Gjeneralët e ushtrisë qiellore”, shfaqen dhe madhërohen figura të lidhura me lëvizjen çetnike, mes të cilëve Drazha Mihajlloviq dhe Ratko Mlladiq, i cili është i dënuar me vendim të plotfuqishëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Organizatat e shoqërisë civile vlerësojnë se një postim i tillë nuk mund të trajtohet vetëm si qëndrim privat, pasi vjen nga bartësi i një funksioni publik që udhëheq një institucion të ngarkuar me realizimin, avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve pakicë, përfshirë boshnjakët, turqit, romët, serbët, sllavomaqedonasit, vllahët dhe komunitetet e tjera.
„Nga drejtori i Agjencisë pritet të kontribuojë në besimin ndëretnik, barazinë dhe bashkëjetesën. Madhërimi i figurave dhe ideologjive të lidhura me persekutimin, asimilimin, krimet e luftës dhe gjenocidin është i papajtueshëm me mandatin dhe përgjegjësinë e funksionit që ushtron”, thuhet në kërkesë.
Organizatat udhëzojnë edhe në pozitën e të punësuarve në Agjenci që u mekohen komuniteteve të prekura, duke ngritur pyetjen se a mund të ndihen ata të sigurt dhe me dinjitet në një ambient pune të udhëhequr nga një drejtor që shpërndan publikisht mesazhe të këtilla.
Nga Qeveria kërkohet të shqyrtojë përgjegjësinë politike, etike dhe institucionale të Kitanoviqit, të marrë vendim për shkarkimin e tij, të ndërmarrë masa për mbrojtjen e të punësuarve dhe të distancohet publikisht nga madhërimi i kriminelëve të dënuar të luftës dhe ideologjive që nxisin urrejtje kombëtare dhe fetare.
Gjithashtu, nga Prokuroria Publike kërkohet që, sipas detyrës zyrtare, të shqyrtojë përmbajtjen dhe kontekstin e postimit dhe të përcaktojë nëse ekzistojnë elemente të veprës penale sipas nenit 407-a të Kodit Penal. Organizatat theksojnë se vlerësimi për përgjegjësinë e mundshme penale është ekskluzivisht në kompetencë të organeve të ndjekjes dhe gjykatës.
Kërkesa i është dorëzuar edhe Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi si dhe koordinatorit nacional për bashkëpunim ndëretnik dhe ndërmjetëse, Salko Kuç.
„Kjo nuk është çështje e politikës ditore, përkatësisë etnike apo bindjes private. Kjo është çështje e vlerave qytetëruese, sundimit të ligjit, respektimit të viktimave dhe përgjegjësisë së bartësve të funksioneve publike”, porosisin nënshkruesit.
Kërkesën e nënshkruan përfaqësues të OJQ-së „Shadrvan”, OJQ-së „Divan”, Institutit për Hulumtim dhe Analizë të Politikave „Romalitiko”, OJQ-së „Divanhana”, OJQ-së „Legis”, OJQ-së „Smart kod”, Këshillit Kombëtar Boshnjak dhe Bashkësisë Kulturore Boshnjake. (INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.