Goditje e re për Lukashenkon: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i bashkohen sanksioneve të ashpra të BE-së!
Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe gjashtë shtete të tjera evropiane që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian i janë bashkuar zyrtarisht paketës më të re të sanksioneve të Brukselit kundër Bjellorusisë së diktatorit Aleksandar Lukashenko. K...
Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe gjashtë shtete të tjera evropiane që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian i janë bashkuar zyrtarisht paketës më të re të sanksioneve të Brukselit kundër Bjellorusisë së diktatorit Aleksandar Lukashenko.
Krahas Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, në këtë listë figurojnë edhe Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Ukraina, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni, të cilat do t’i harmonizojnë politikat e tyre kombëtare me vendimet e Këshillit të BE-së të miratuara gjatë muajit korrik, përcjell INA.
Sanksionet e reja zgjerojnë ndjeshëm kufizimet për mallrat dhe teknologjitë që mund të forcojnë sektorët ushtarakë, teknologjikë, të mbrojtjes apo të sigurisë së Bjellorusisë.
Masat gjithashtu përfshijnë kufizime shtesë për importin e mallrave që mund t’i sigurojnë Bjellorusisë burime alternative të të ardhurave, si dhe shtrirjen e kufizimeve që lidhen me pjesëmarrjen e Bjellorusisë në kompani të mjeteve-kripto (kriptomonedhave) me seli në BE.
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, ka përshëndetur vendimin e tetë vendeve evropiane jashtë bllokut për t’iu bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Bjellorusisë, transmeton “Reuters”.
BE-ja i arsyeton këto sanksione me përfshirjen e Bjellorusisë në agresionin rus kundër Ukrainës, si dhe me veprimet e vazhdueshme të autoriteteve bjelloruse, të cilat kanë sjellë kritika dhe sanksione ndërkombëtare.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.