Haga sjell reagime të reja nga liderët shqiptarë në Shkup

Vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka vijuar të shkaktojë reagime edhe në Maqedoninë e Veriut. Ali Ahmeti, Ziadin Sela dhe Izet Mexhiti kanë shprehur qëndrimet e tyre lidhur me vendimin dhe hapa...

shtator 18, 2026 - 22:30
Haga sjell reagime të reja nga liderët shqiptarë në Shkup

Vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka vijuar të shkaktojë reagime edhe në Maqedoninë e Veriut. Ali Ahmeti, Ziadin Sela dhe Izet Mexhiti kanë shprehur qëndrimet e tyre lidhur me vendimin dhe hapat e mëtejshëm juridikë e politikë.

Ali Ahmeti, në një intervistë për Top News në Shqipëri, ka hedhur idenë që qytetarët e Kosovës të deklarohen përmes referendumit lidhur me verdiktin e Dhomave të Specializuara.

“Pasi vendimi i Dhomave të Specializuara u dha në emër të popullit të Kosovës, atëherë do të ishte e logjikshme që, përmes një referendumi popullor, vetë populli i Kosovës të inicojë, të organizojë dhe të deklarohet se çfarë mendon për këtë vendim dhe që epilogu i atij referendumi të jetë obligativ për Dhomat e Specializuara, të themeluara nga Kuvendi i Kosovës”, deklaroi Ahmeti.

Ai kërkoi gjithashtu që institucionet e Kosovës, Kuvendi dhe Qeveria, të angazhohen zyrtarisht për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së nga paraburgimi dhe që, deri në vendimin përfundimtar të Apelit, atyre t’u mundësohet qëndrimi në shtëpitë e tyre, nën garancitë e Policisë dhe shtetit të Kosovës.

Sipas Ahmetit, Kosova duhet t’u drejtohet edhe shteteve që kanë mbështetur dhe financuar Dhomat e Specializuara, duke kërkuar mbështetjen e tyre për një zgjidhje të tillë.

Ahmeti tha gjithashtu se presidenti i ardhshëm i Kosovës, menjëherë pas zgjedhjes, duhet të ndërmarrë çdo veprim që lejon rendi juridik i vendit në drejtim të faljes së ish-krerëve të UÇK-së dhe mbrojtjes së vullnetit të qytetarëve të Kosovës.

Ai bëri apel edhe për unitet dhe maturi, duke shprehur mbështetje për protestat popullore dhe paqësore. Sipas Ahmetit, subjektet politike duhet të gjejnë një formulë të përbashkët dhe të ndërtojnë një qëndrim të unifikuar, duke vendosur interesin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës mbi dallimet politike.

Ndërkohë, Ziadin Sela ka rikujtuar qëndrimin e tij të shprehur më 17 shkurt në Prishtinë, kur kishte propozuar ndërprerjen e punës së Dhomave të Specializuara dhe kthimin e lëndëve eventuale në gjykatat e Kosovës.

Sela kishte deklaruar se, sipas tij, puna e Dhomave të Specializuara kishte përfunduar që në momentin kur pretendimet e Dick Martyt u shpallën të pabazuara, duke kërkuar që lëndët e tjera të trajtohen nga gjykatat e Kosovës.

“Është skandaloze. Për mendimin tim, puna e dhomave të specializuara është kryer në momentin që pretendimet e rrejshme të Dick Martyt dolën të pavërteta”, kishte deklaruar Sela.

Ai kishte kërkuar gjithashtu që institucionet ndërkombëtare të merren me atë që e konsideron propagandë të Serbisë ndaj UÇK-së.

Në anën tjetër, bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka bërë thirrje për unitet të faktorit politik shqiptar në të gjitha trevat, me qëllim mbështetjen e procesit të apelimit të ish-krerëve të UÇK-së.

Mexhiti tha se vendimi i shkallës së parë është pritur me indinjatë dhe se tani duhet të tejkalohen dallimet politike për t’u bashkuar rreth procesit në Gjykatën e Apelit.

“Beteja juridike për ish-krerët e UÇK-së nuk ka përfunduar”, është shprehur Mexhiti.

Reagimet vijnë pas vendimit të shkallës së parë në Hagë, ndërsa vëmendja tashmë është përqendruar te procedurat e apelimit dhe zhvillimet e mëtejshme lidhur me rastin.

Ndërkaq, BDI vlerëson që deklarata e Vuçiqit është një tjetër përpjekje për të defokusuar dhe manipuluar opinionin publik.

BDI: Për ne është shqetësuese që ndikimi i Beogradit dhe i botës serbe në Republikën e Maqedonisë së Veriut sot është më i madh se asnjëherë më parë. Kjo nuk është vetëm perceptim politik, por një çështje që është evidentuar edhe në raporte dhe vlerësime të institucioneve relevante ndërkombëtare. Deklarata e Vuçiqit është në vazhdën e krijimit të një tymnaje politike dhe zhvendosjes së vëmendjes nga thelbi i çështjeve. Ky tentim për manipulim dhe defokusim të opinionit publik është i ngjashëm edhe me përpjekjet e partive politike maqedonase gjatë ditës së djeshme për të barazuar Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, të themeluar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së në vitin 1993, me Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Bëhet fjalë për dy institucione krejtësisht të ndryshme për nga statusi juridik dhe institucional: Tribunali për ish-Jugosllavinë ishte tribunal ndërkombëtar i krijuar me rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërsa Dhomat e Specializuara të Kosovës janë institucion gjyqësor i themeluar në kuadër të sistemit juridik të Kosovës, me bazë në Kushtetutën dhe legjislacionin e saj. BDI nuk do të lejojë që narrativat e importuara nga Beogradi të përcaktojnë debatin politik në Maqedoninë e Veriut apo të cenojnë marrëdhëniet ndëretnike,stabilitetin dhe orientimin evropian të vendit. Gazeta Flaka

The post Haga sjell reagime të reja nga liderët shqiptarë në Shkup appeared first on Flaka, në çdo lajm... .


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.