Hajdutët “pushtojnë” Bogovinën, thyejnë mbi 10 shtëpi dhe vjedhin edhe kasafortën 400-kilogramëshe

Prokuroria Themelore Publike në Tetovë ka nisur procedurë ndaj katër personave të dyshuar për kryerjen e veprës penale të vazhduar “vjedhje e rëndë”. Sipas Prokurorisë, të dyshuarit gjatë periudhës nga prilli deri në shtator të këtij viti k...

shtator 21, 2026 - 12:00
Hajdutët “pushtojnë” Bogovinën, thyejnë mbi 10 shtëpi dhe vjedhin edhe kasafortën 400-kilogramëshe

Prokuroria Themelore Publike në Tetovë ka nisur procedurë ndaj katër personave të dyshuar për kryerjen e veprës penale të vazhduar “vjedhje e rëndë”.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit gjatë periudhës nga prilli deri në shtator të këtij viti kanë kryer një seri vjedhjesh në disa fshatra të Komunës së Bogovinës.

Ata dyshohet se kanë depërtuar me forcë në më shumë se 10 shtëpi, prej të cilave kanë vjedhur para, stoli ari, si dhe lloje të ndryshme armësh të zjarrit, për të cilat pronarët kanë poseduar leje përkatëse.

Gjatë një prej vjedhjeve, në fshatin Pallçishtë, të dyshuarit kanë arritur të nxjerrin nga shtëpia edhe një kasafortë me peshë rreth 400 kilogramë.

Sipas vlerësimeve të deritanishme, vlera totale e sendeve të vjedhura arrin në rreth 15 milionë denarë.

Nga Prokuroria bëjnë të ditur se prokurori publik po punon intensivisht për sigurimin e provave lidhur me të gjitha rastet e raportuara.

Me propozim të Prokurorisë, dy prej të dyshuarve u është caktuar masa e paraburgimit të shkurtër prej 48 orësh, përkatësisht deri në sigurimin e plotë të provave.

Për dy të dyshuarit e tjerë vijon kërkimi, ndërsa masa e paraburgimit ndaj tyre do të fillojë të llogaritet nga momenti i gjetjes dhe privimit të tyre nga liria./INA/


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.