Hamza: Nga sot fillon një fazë tjetër, PDK do të veprojë që ligjshmëria të rikthehet

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se PDK-ja nuk do të pranojë vazhdimin e shkeljeve kushtetuese dhe se, nga sot, do të hyjë në një fazë tjetër të veprimit politik, institucional dhe juridik për rikthimin e...

shtator 5, 2026 - 13:30
Hamza: Nga sot fillon një fazë tjetër, PDK do të veprojë që ligjshmëria të rikthehet

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se PDK-ja nuk do të pranojë vazhdimin e shkeljeve kushtetuese dhe se, nga sot, do të hyjë në një fazë tjetër të veprimit politik, institucional dhe juridik për rikthimin e ligjshmërisë dhe rendit kushtetues në vend.

Në sallën e Kuvendit, Hamza tha se për javë të tëra deputetët e PDK-së kanë kërkuar vazhdimin e seancës konstituive, respektimin e Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit.

“Nga sot fillon një fazë tjetër. Një fazë në të cilën Partia Demokratike e Kosovës nuk do të mjaftohet vetëm duke kërkuar që ligjshmëria të respektohet. Do të veprojmë. Me përgjegjësi. Me vendosmëri. Me të gjitha mjetet demokratike dhe institucionale që na i jep rendi kushtetues i Republikës së Kosovës. Ne kemi kërkuar që ligjshmëria të respektohet. Nga sot, do të veprojmë që ligjshmëria të rikthehet”, tha Hamza.

Kryetari i PDK-së theksoi se situata e krijuar nuk është më një përplasje e zakonshme politike.

“Kjo që ka ndodhur nuk është një mosmarrëveshje e thjeshtë politike. Nuk është konflikt mes PDK-së dhe Vetëvendosjes. Nuk është konflikt mes Bedri Hamzës dhe Albin Kurtit. Është konflikt mes një mënyre autoritare të ushtrimit të pushtetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, deklaroi Hamza.

Ai tha se pushteti nuk mund t’i trajtojë “Kushtetutën, vendimet e gjykatave dhe obligimet institucionale sipas interesit politik”.

“Në demokraci, edhe kur nuk të pëlqen Kushtetuta, nuk e shkel atë. Kur nuk të pëlqen një vendim i Gjykatës Kushtetuese, nuk sillesh sikur ai nuk ekziston. Dhe kur Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës konstaton se deputeti nuk mund ta ushtrojë njëkohësisht edhe funksionin e ministrit, nuk mund të sillesh sikur gjykata nuk ka folur”, tha ai.

Hamza kritikoi edhe thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive për 9 shtator, duke thënë se tashmë po shkelet edhe afati sipas interpretimit të vetë Vetëvendosjes.

“Tash, vazhdimi i seancës konstituive është thirrur për 9 shtator, pas afatit prej 30 ditëve që e ka përcaktuar vetë Vetëvendosje. Por Kuvendi i Kosovës nuk mund të presë derisa një parti t’i përfundojë kalkulimet e veta. Kuvendi është institucion i Republikës së Kosovës”, deklaroi Hamza.

Ai theksoi se institucionet e Republikës nuk mund të mbahen peng të interesit të një partie apo individi.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.