Haxhiu: Byroja s’do të ketë kompetencë të konfiskojë drejtpërdrejt pasurinë, vendimin përfundimtar e merr gjykata
Byroja për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar do të merret me verifikimin e pasurisë së zyrtarëve publikë, përfshirë edhe pasuritë që mund të jenë kaluar te persona të tretë. Në rastet kur pasuria nuk mund të justifikoh...


Byroja për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar do të merret me verifikimin e pasurisë së zyrtarëve publikë, përfshirë edhe pasuritë që mund të jenë kaluar te persona të tretë. Në rastet kur pasuria nuk mund të justifikohet me të ardhurat, Byroja do t’i drejtohet gjykatës për konfiskimin e saj.
Kështu ka deklaruar kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila e ka cilësuar këtë ligj ndër më të rëndësishmit për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ajo ka shpjeguar se Byroja nuk do të ketë kompetencë të konfiskojë drejtpërdrejt pasurinë, pasi vendimin përfundimtar do ta marrë gjykata.
“Kur ka shpërputhje nga të ardhurat, pra paga e zyrtarit, dhe në anën tjetër pasuria, atëherë kërkon që ajo pasuri të arsyetohet, të justifikohet. Pra, ku është burimi, prej nga është blerë banesa, prej nga është blerë kerri, prej nga është blerë shtëpia në bregdet”, ka thënë Haxhiu.
Sipas saj, Byroja mund të nisë verifikimin e pasurisë në bazë të deklarimeve të zyrtarëve, me iniciativë të vetë institucionit, pas raportimeve nga institucionet ose nga palët e treta, përfshirë qytetarët.
“Në rrethanat kur ne nuk mund ta justifikojmë pasurinë që e kemi krijuar, atëherë Byroja kërkon nga gjykata që pasuria e tillë të konfiskohet. Pra, do të jetë vendim i gjykatës”, ka deklaruar ajo.
Haxhiu ka bërë të ditur se ligji do të zbatohet ndaj zyrtarëve publikë edhe pas përfundimit të mandatit të tyre, si dhe ndaj personave të tretë te të cilët dyshohet se është kaluar pasuria për ta fshehur atë.
Ajo ka theksuar se ligji nuk synon të përfshijë të gjithë qytetarët, por zyrtarët që dyshohet se kanë krijuar pasuri të pajustifikueshme duke keqpërdorur detyrën zyrtare.
Para se ligji të procedohet për dekretim te presidentja, duhet të kalojë afati tetëditor brenda të cilit deputetët dhe palët e tjera të autorizuara mund ta dërgojnë atë në Gjykatën Kushtetuese. Haxhiu ka thënë se pas hyrjes në fuqi të ligjit, Kuvendi do ta zgjedhë drejtorin e Byrosë, ndërsa e rëndësishme do të jetë përzgjedhja e stafit me integritet të lartë moral dhe profesional.
Sipas saj, ky mekanizëm duhet të shërbejë edhe si masë parandaluese, në mënyrë që askush të mos e shohë politikën si mundësi për t’u pasuruar në mënyrë të paligjshme.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.