Haziri: Nuk kemi besuar që drejtësia vjen në formën e padrejtësive
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur në “RTK Prime” për Dhomat e Specializuara, drejtësinë, procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, si dhe për çështjen e presidentit dhe raportet politike në Kosovë. Duke folur për drejtësinë dhe Dhomat...


Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur në “RTK Prime” për Dhomat e Specializuara, drejtësinë, procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, si dhe për çështjen e presidentit dhe raportet politike në Kosovë.
Duke folur për drejtësinë dhe Dhomat e Specializuara, Haziri ka thënë se drejtësia është pritur për 26 vjet. “Drejtësia që 26 vjet jemi duke e pritur… gjithë populli ynë, gjithë vendi ynë. Por nuk kemi besuar që drejtësia vjen në formën e padrejtësive”, ka deklaruar Haziri. Ai ka thënë se Kosova ka provuar të vendosë drejtësi përmes administratës së OKB-së, EULEX-it dhe institucioneve të Kosovës. “Është provuar me vendosë drejtësi përmes administratës së OKB-së, me institucionet e përkohshme në atë kohë të Kosovës, më vonë në gjendjen e pas deklarimit të pavarësisë është menduar përmes EULEX-it dhe institucioneve të Kosovës me vendosë, nuk është arritur. Përfundimisht Kosova i ka themeluar Dhomat e Specializuara”, ka thënë ai.
Haziri ka thënë se Dhomat e Specializuara kanë pasur mandat “me gjetur faj edhe me vendos drejtësi për viktimat”. “Krejt ajo që ne duhet me kërkuar sot është me vendos drejtësi edhe në këtë rast. Me u gjykuar rasti drejt, me u gjykuar drejt, mos me u lejuar me u politizuar”, ka deklaruar ai. I pyetur nëse bëhet fjalë për gjykim politik, Haziri ka thënë se nuk mund të japë një vlerësim përfundimtar pa u parë i gjithë aktgjykimi. “Tani nuk po mund të themi asgjë më shumë përveç asaj që është dëgjuar nga leximi edhe nga ato 40 faqet e para që janë dhënë, sepse vendimi përfundimtar, po flitet që është mbi 2,000 faqe”, ka thënë Haziri.
Ai ka thënë se duhet të pritet dhe të shihet e gjithë ajo që ka ndodhur. “Duhet me i pritë e me e parë krejt ato çka ka ndodhur”, ka deklaruar Haziri. Haziri ka thënë se besimi duhet të ruhet në drejtësi. “Me e ruajtur besimin ne, ndërsa ata kanë nevojë me ruajtur kredibilitetin e tyre”, ka thënë ai. I pyetur se ku duhet ruajtur besimi, Haziri është përgjigjur: “Në drejtësi”. “Në drejtësinë tonë, sepse ne duhet me insistuar me u zbardhur gjithçka që ka ndodhur edhe në këtë rast”, ka shtuar ai.
Duke folur për qëllimin e UÇK-së, Haziri ka thënë se misioni i saj ka qenë pavarësia e Kosovës. “UÇK-ja në misionin e saj ka pasur pavarësinë e Kosovës. Dhe pjesëtarët e UÇK-së e kanë pasur këtë qëllim”, ka thënë Haziri. Ai ka thënë se duhet parë deri në fund se kush ka qenë subjekt në këtë proces. “Duhet me e parë në fakt kush çka ka qenë subjekt deri në fund, sepse nuk ka pasur transparencë”, ka deklaruar Haziri.
Haziri ka thënë se populli i Kosovës ka të drejtë të shprehë pakënaqësi. “Mendoj që i jep të drejtë popullit të Kosovës me shpreh pakënaqësi, por mos harroni se aktakuzën apo akuzën e ka ngritur prokuroria në emër të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Haziri. Ai ka thënë se Kosova nuk ka pasur mundësi ta zgjedhë mënyrën se si do të vendosej drejtësia pas luftës. “Nuk është edhe nuk ka qenë e mundur që Kosova me zgjedhë mënyrën se si ka me vendosë drejtësi pas luftës në Kosovë”, ka thënë Haziri. “Nuk guxojmë me lejuar humbjen e empatisë për viktimat”, ka shtuar ai.
Duke folur për vendimet e shkallës së parë, Haziri ka thënë se bëhet fjalë për katër dënime ndaj ish-krerëve të UÇK-së. “Po flasim për 4 dënime në shkallën e parë që i dhanë ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara të Republikës së Kosovës”, ka thënë Haziri në “RTK Prime”.
Duke folur për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, Haziri ka thënë se dëshiron të shohë se çfarë do të sillte një ndryshim i tillë. “Edhe unë jam shumë kurioz me parë çka sjell ky ndryshim, çka përmirëson? Çka përmirëson nga gabimet e thelbësore?”, ka deklaruar ai. Sipas Hazirit, Dhomat e Specializuara mandatin e kanë marrë nga institucionet e Kosovës. “Dhomat e Specializuara mandatin e kanë marrë nga institucionet tona”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se motivi për themelimin e tyre kishte dalë nga raporti i Dick Martyt. “Motivi për themelimin e Dhomave të Specializuara ka dalë nga raporti i senatorit të ndjerë zviceran Dick Marty”, ka deklaruar Haziri. “Parimisht unë besoj që duhet me mbështetur me vendos drejtësi, por dështimi i drejtësisë në Kosovë për këtë arsye u desh me u ndërtuar Dhomat e Specializuara në një vend mik”, ka shtuar ai. Haziri ka thënë se Kosova vetë e kishte zgjedhur Hagën. “Kosova vetë e ka zgjedhur Hagën edhe ka nënshkruar marrëveshje me shtetin e Holandës”, ka thënë ai.
Duke u pyetur nëse ajo që po ndodh në Dhomat e Specializuara është drejtësi, Haziri ka përsëritur se drejtësia nuk duhet të vendoset përmes padrejtësive. “Drejtësia nuk duhet me u vendos përmes padrejtësive. Drejtësia kërkohet deri në fund. Kosova si shtet nuk guxon me dështuar në këtë raport”, ka deklaruar Haziri. Ai ka theksuar se procesi ka zgjatur gjashtë vjet. “Atje po ushtrohet në formën edhe mënyrën më të mundshme. Sepse gjashtë vjet ka zgjatur ky proces. Gjashtë vjet!”, ka thënë Haziri.
Sipas tij, reagimi që ka ardhur pas shpalljes së aktgjykimit mund të ishte ngritur edhe në kohën e aktakuzës. “Reagimi i sotshëm pas shpalljes së gjykimit ndoshta u desh me ndodh kur u bë akuza. Në emër të kujt po e bën akuzën? Në emër të kujt po e bën akuzën?”, ka deklaruar Haziri.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.