Hekurudhat në degradim, rrugët në letër! Zekolli: Me Kosovën për katër vite lidhemi me autostradë

Pas pengesave të shumta administrative, më 26 gusht pritet të startojnë zyrtarisht punimet për ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë. Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, sipas së cilës janë pl...

gusht 22, 2026 - 20:00
Hekurudhat në degradim, rrugët në letër! Zekolli: Me Kosovën për katër vite lidhemi me autostradë

Pas pengesave të shumta administrative, më 26 gusht pritet të startojnë zyrtarisht punimet për ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë. Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, sipas së cilës janë plotësuar të gjitha kushtet financiare dhe procedurale për nisjen e këtij projekti me rëndësi strategjike. Edhe pse afati zyrtar i realizimit është katër vjet, nga Ministria e Transportit presin që punimet të përfundojnë shumë më shpejt.

„Me shumë kënaqësi ju them se më datën 26 gusht do të fillojnë punimet. Granti është nënshkruar, kredia është marrë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Është nënshkruar më 6 korrik në Qeveri nga drejtori i bankës dhe nga drejtori i Ndërmarrjes Publike ‘Rrugët Shtetërore’. Kështu që të gjitha pengesat administrative janë eliminuar, jemi në fazën e marrjes së lejes për ndërtim që lëshohet nga ana e Ministrisë së Transportit. Kontraktuesi është i përzgjedhur, është një kompani vendore, siç e dini, ‘Granit’. Afati i realizimit të projektit është paraparë 4 vite, mirëpo kemi bërë kërkesë serioze, edhe nga ana e ministrit ka qenë kjo kërkesë, që të bëhet sa më shpejt“, tha Zekolli

Paralelisht me këtë projekt, ditë më parë ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, zhvilloi një takimi pune me ministrin e Infrastrukturës dhe Transportit të Kosovës, Dimal Basha. Në fokus të bisedimeve ishte rivendosja e qarkullimit hekurudhor dhe aplikimi i konceptit „One Stop Shop“ — përkatësisht një stacion i përbashkët kufitar hekurudhor.

Lidhur me lidhjen hekurudhore dhe kontratën e nënshkruar së fundmi mes MEPSO-s dhe KEK-ut të Kosovës për blerjen e thëngjillit, Zekolli Shaqiri theksoi se çdo marrëveshje ndërshtetërore është në interes të të dyja vendeve.

„Absolutisht, çdo projekt që lidhet me Kosovën është i mirëseardhur dhe kjo e përshëndet shumë jetësimin e kësaj kontrate, sepse kjo kishte një stagnim shumëvjeçar. Unë besoj se çdo gjë që na lidh me Kosovën, na ofron me Kosovën, eliminon pengesat që kemi për të pasur qasje në Kosovë apo kosovarët tek ne, është e mirëseardhur dhe duhet të përshëndetet”, deklaroi Zekolli

E pyetur mbi gjendjen e rrjetit të brendshëm hekurudhor, përkatësisht linjën Shkup–Tetovë–Kërçovë, zëvendësministrja sqaroi se kjo pjesë ka nevojë urgjente për renovim, ndërsa për segmentin që lidhet me Linin e Shqipërisë duhet të hartohet një projekt i ri.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.