Hiqet shqiponja dykrenare nga maja e Korabit, reagon Federata Shqiptare e Alpinizmit dhe Turizmit Malor

Federata Shqiptare e Alpinizmit dhe Turizmit Malor ka lëshuar një reagim zyrtar lidhur me ngjarjen e raportuar pak ditë më parë ku një grup nga Maqedonia e Veriut ka hequr simbolin e shqiponjës dykrenare, i cili ishte vendosur nga një ekip ...

tetor 1, 2026 - 13:30
Hiqet shqiponja dykrenare nga maja e Korabit, reagon Federata Shqiptare e Alpinizmit dhe Turizmit Malor

Federata Shqiptare e Alpinizmit dhe Turizmit Malor ka lëshuar një reagim zyrtar lidhur me ngjarjen e raportuar pak ditë më parë ku një grup nga Maqedonia e Veriut ka hequr simbolin e shqiponjës dykrenare, i cili ishte vendosur nga një ekip alpinistësh shqiptarë në majën e Korabit.

Federata thekson se shqiponja dykrenare është simbol i historisë, identitetit dhe dinjitetit kombëtar të shqiptarëve dhe se heqja e saj cenon respektin e ndërsjellë e frymën e solidaritetit në sport.

Në reagim gjithashtu iu kërkua autoriteteve shqiptare të verifikojnë ngjarjen, të identifikojnë personat përgjegjës dhe të kthejnë simbolin në vend.

Reagimi i plotë:

Sportet bashkojnë kombet dhe ndërtojnë ura bashkëpunimi, jo përçarjeje. Federata Shqiptare e Alpinizmit dhe Turizmit Malor dënon heqjen e shqiponjës dykrenare, nga një grup i Maqedonisë se Veriut, ky Simbol është vendosur nga një ekip alpinistësh shqiptarë në majën e Korabit, ngjarje e raportuar më 29 shtator 2026.

Shqiponja dykrenare është simbol i identitetit, historisë dhe dinjitetit kombëtar të shqiptarëve. Heqja e saj është një veprim që cenon respektin e ndërsjellë dhe bie ndesh me frymën e solidaritetit që përfaqëson alpinizmi.

Sipas deklaratës së Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë së Veriut, të raportuar nga MKD.mk dhe Skopje1.mk, simboli ishte vendosur në anën tjetër të majës së Korabit, jashtë territorit të Maqedonisë së Veriut. Ky informacion e bën të domosdoshëm sqarimin institucional të ndërhyrjes dhe të përgjegjësive për të.

U kërkojmë autoriteteve shqiptare të verifikojnë ngjarjen dhe të ndërmarrin hapat përkatës për identifikimin e personave përgjegjës dhe kthimin e simbolit, në përputhje me ligjin dhe kompetencat territoriale.

Njëkohësisht, u bëjmë thirrje organizatave të alpinizmit në Maqedoninë e Veriut të distancohen nga veprime të tilla dhe të kontribuojnë në sqarimin e rastit. Sjellja e individëve nuk duhet të cenojë miqësinë dhe bashkëpunimin mes komuniteteve tona sportive.

Në mal, alpinistët mbështeten te njëri-tjetri, pavarësisht kombësisë. Respekti për simbolet kombëtare dhe dinjitetin e secilit është pjesë e kësaj etike.

Federata mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit sportiv dhe fqinjësisë së mirë, duke kërkuar të njëjtin respekt për identitetin dhe simbolet kombëtare shqiptare. Malet na bashkojnë. Respekti i ndërsjellë duhet të na udhëheqë!


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.