Hoxha: 100 mijë trofta të Ohrit lëshohen tani, ndërsa 1.5 milionë të tjera në shtator

Procesi i ripopullimit të Liqenit të Ohrit me troftën e Ohrit ka nisur sot. Përgjatë këtij viti, në liqen pritet të hidhen gjithsej rreth 1.6 milionë trofta. Në aktivitet morën pjesë zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së...

gusht 17, 2026 - 20:00
Hoxha: 100 mijë trofta të Ohrit lëshohen tani, ndërsa 1.5 milionë të tjera në shtator

Procesi i ripopullimit të Liqenit të Ohrit me troftën e Ohrit ka nisur sot. Përgjatë këtij viti, në liqen pritet të hidhen gjithsej rreth 1.6 milionë trofta.

Në aktivitet morën pjesë zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, përfaqësues të Entit Hidrobiologjik të Ohrit, si dhe pjesëtarë të Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë.

Faza e parë do të vijojë për rreth 5 deri në 6 ditë, gjatë të cilave do të lëshohen 100 mijë trofta. Këta individë janë rezultat i shumimit artificial të vitit 2025 dhe kanë një peshë mesatare prej rreth 16 gramësh.

Troftat po shpërndahen në disa pika të liqenit, konkretisht në Tërpejcë, Peshtan, Radozhdë, Kalishtë, Ohër dhe Strugë. Pikërisht në këto zona, gjatë vitit 2025, janë marrë nga popullata natyrore individët riprodhues që u përdorën për sigurimin e materialit të nevojshëm për shumimin artificial.

Sipas planit, etapa e dytë do të fillojë në shtator dhe do të zgjasë rreth tri javë. Në këtë periudhë pritet të lëshohen edhe rreth 1.5 milionë trofta, të prodhuara në Entin Hidrobiologjik të Ohrit përmes shumimit artificial të vitit 2026.

“Në këtë fazë lëshohen 100 mijë trofta, ndërsa në shtator do të vijojmë me rreth 1.5 milionë të tjera. Në total, rreth 1.6 milionë trofta të Ohrit do t’i shtohen liqenit. Pas këtij procesi ka shumë punë dhe përkushtim gjatë gjithë vitit. Trofta e Ohrit është pasuri që duhet ta ruajmë dhe ta shtojmë”, deklaroi Hoxha.

Enti Hidrobiologjik i Ohrit është institucioni që po zbaton të gjithë procesin, në bazë të marrëveshjes me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave. Veprimtaria monitorohet nga Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.