Imami Labinot Maliqi përkujton Nënë Terezën: Le të jetë kujtimi i saj urë respekti
Imami i xhamisë “Bedri Kamberi” në Prishtinë, Labinot Maliqi, ka përkujtuar humanisten shqiptare Gonxhe Bojaxhiu, e njohur në mbarë botën si Nënë Tereza, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Bamirësisë. Maliqi ka vlerësuar veprën humanitare t...
Imami i xhamisë “Bedri Kamberi” në Prishtinë, Labinot Maliqi, ka përkujtuar humanisten shqiptare Gonxhe Bojaxhiu, e njohur në mbarë botën si Nënë Tereza, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Bamirësisë.
Maliqi ka vlerësuar veprën humanitare të Nënë Terezës, duke e cilësuar atë si një figurë që e shndërroi mëshirën në vepër dhe shërbimin ndaj njerëzve në një gjuhë të përbashkët.
“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë, si imam shqiptar, e kujtoj veprën e saj, në shërbim të njerëzve në nevojë”, ka shkruar Maliqi.
Duke iu referuar mësimeve të Kuranit, ai ka theksuar rëndësinë e bamirësisë dhe respektit ndërmjet njerëzve, pavarësisht dallimeve fetare.
“Kurani Famëlartë, i mëson besimtarët: “Dhe bëni mirë, se Zoti me të vërtetë i do bamirësit!” | KURAN, 02:195 |”, ka shtuar Maliqi.
“Nuk kemi nevojë të besojmë njësoj për ta njohur të mirën e njëri-tjetrit. Kombi shqiptar është më i fortë kur secili e ruan besimin e vet, respekton tjetrin dhe punon për të mirën e përbashkët”, ka thënë ai.
Në fund, Maliqi ka bërë thirrje që kujtimi i Nënë Terezës të shërbejë si urë respekti dhe si nxitje për më shumë mirësi e paqe në shoqëri.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.