Instituti i Shëndetit me këshilla për personat mbi 65 vjeç gjatë të nxehtit
Personat mbi 65 vjeç janë më të ndjeshëm ndaj efekteve shëndetësore të temperaturave të larta dhe valëve të të nxehtit. Sipas rekomandimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, personat mbi 65 vjeç konsiderohen një nga kategoritë e rrezikuara të po...
Personat mbi 65 vjeç janë më të ndjeshëm ndaj efekteve shëndetësore të temperaturave të larta dhe valëve të të nxehtit. Sipas rekomandimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, personat mbi 65 vjeç konsiderohen një nga kategoritë e rrezikuara të popullsisë. Me kalimin e moshës, organizmi e ka më të vështirë të përshtatet me temperaturat e larta. Përveç kësaj, të moshuarit më shpesh kanë sëmundje kronike dhe përdorin terapi të rregullt, ndërsa disa ilaçe mund të ndikojnë në reagimet normale të organizmit ndaj nxehtësisë, thuhet në njoftimin e sotëm të Institutit të Shëndetit Publik, ku janë paraqitur edhe masa dhe rekomandime për këtë grup qytetarësh, përcjell TV21. Nga Instituti bëjnë thirrje që të respektohen masat dhe rekomandimet për mbrojtjen nga temperaturat e larta, të cilat vlejnë për të gjithë popullatën, por veçanërisht theksojnë:
-Shmangni ekspozimin në diell, përfshirë punën dhe aktivitetet fizike në ambiente të hapura, nga ora 11:00 deri në 17:00.
-Vishni rroba të lehta, me ngjyra të çelëta dhe të gjera, përdorni syze dielli dhe kapelë me strehë të gjerë.
-Kur ekspozoheni në diell, përdorni krem mbrojtës me faktor SPF 30 ose më të lartë.
-Konsumoni mjaftueshëm lëngje dhe mos prisni të ndjeni etje për të pirë ujë.
-Shmangni pijet alkoolike dhe kufizoni pijet që përmbajnë kafeinë.
Nëse mjeku ju ka kufizuar marrjen e lëngjeve për shkak të një gjendjeje shëndetësore, konsultohuni me të për sasinë e lëngjeve që duhet të konsumoni gjatë motit të nxehtë.
-Mbani temperaturë konstante në shtëpi dhe shmangni ngrohjen e saj të mëtejshme.
-Gjatë ditës përdorni roleta, perde ose mënyra të tjera për të mbrojtur ambientet nga rrezet direkte të diellit. Ajrosni dhomat kur temperatura jashtë është më e ulët.
-Nëse përdorni kondicioner, shmangni ftohjen e tepërt të ambientit dhe ndryshimet e menjëhershme të temperaturës.
-Shmangni përdorimin e sobës, furrës dhe pajisjeve të tjera që e ngrohin më tej shtëpinë, veçanërisht nga ora 13:00 deri në 17:00.
Gjithashtu, rekomandohet që trupi të freskohet.
-Freskojeni trupin. Bëni dush me ujë të vakët ose më të freskët, përdorni peshqirë të lagur dhe qëndroni në pjesën më të freskët të shtëpisë ose në një ambient me klimë, nëse është e mundur.
-Nëse keni sëmundje kronike, respektoni me kujdes rekomandimet dhe merrni rregullisht terapinë e përshkruar.
-Mos e ndryshoni dhe mos e ndërprisni terapinë pa u konsultuar me mjekun.
-Në rast të ndryshimit ose përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, konsultohuni patjetër me mjekun amë.
-Mbani kontakte të rregullta me familjarët, miqtë dhe fqinjët.
Nëse jetoni vetëm, gjatë periudhave me temperatura të larta është veçanërisht e rëndësishme të komunikoni rregullisht me personat e afërt, në mënyrë që të identifikohen me kohë ndryshimet eventuale në gjendjen shëndetësore dhe të sigurohet ndihma nëse është e nevojshme, theksojnë nga Instituti.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.