Interesimi për Rodrin, Barcelona merr lajmin e keq nga Man City
Transferimi i Rodrit te Barcelona është në rrugën e duhur, por ende nuk është mbyllur. Katalanasit kanë bërë një tjetër ofertë për mesfushorin spanjoll, ndërsa Manchester City vazhdon të këmbëngulë për një shifër prej 80 milionë eurosh. Bar...


Transferimi i Rodrit te Barcelona është në rrugën e duhur, por ende nuk është mbyllur. Katalanasit kanë bërë një tjetër ofertë për mesfushorin spanjoll, ndërsa Manchester City vazhdon të këmbëngulë për një shifër prej 80 milionë eurosh.
Barcelona i ka ofruar klubit anglez 60 milionë euro plus 10 milionë euro në bonuse, por Manchester City e ka refuzuar propozimin e dytë. Megjithatë, negociatat nuk janë ndërprerë dhe Barça po përgatit ofertën e saj përfundimtare.
Sipas raportimeve të “The Times”, City po përpiqet ta çojë sa më lart vlerën e transferimit, pasi klubi anglez ka nevojë të krijojë hapësirë në kuadër të rregullave financiare për të realizuar afrimin e Enzo Fernández nga Chelsea.
Barcelona pritet të bëjë lëvizjen e fundit në orët e ardhshme. Burime pranë negociatave bëjnë me dije se oferta përfundimtare mund të shkojë në 65 milionë euro fikse plus 10 milionë euro bonuse. Pesë milionë nga bonuset do të ishin më të lehta për t’u realizuar, ndërsa pjesa tjetër do të lidhej me objektiva më të vështira.
Kjo është shifra me të cilën Barcelona shpreson të bindë Manchester Cityn të pranojë largimin e mesfushorit.
Një faktor i rëndësishëm në negociata është vetë Rodri. Mesfushori spanjoll ka dhënë mbështetjen e tij të plotë për transferimin dhe i ka kërkuar Manchester Cityt që t’ia lehtësojë largimin, pasi dëshira e tij është të largohet nga Premier League.
Rodri pritet të rikthehet te Manchester City të premten, por dëshira e tij është që në vend të udhëtojë drejt Anglisë, të mund të shkojë direkt në Barcelonë.
Megjithatë, ende nuk është marrë asgjë si e mirëqenë. Negociatat kanë hyrë në fazën finale dhe pikërisht kjo pjesë pritet të jetë më e vështira.
Barcelona është e bindur se diferenca me Cityn tashmë është mjaft e vogël dhe se një marrëveshje mund të arrihet në çdo moment.
Edhe pse Manchester City ka deklaruar gjatë negociatave se nuk do ta kishte problem ta mbante Rodrin edhe për sezonin e fundit të kontratës së tij, lëvizjet në merkato tregojnë një tjetër histori.
Klubi anglez po punon për afrimin e dy mesfushorëve, Bouaddi dhe Enzo Fernández, pikërisht për të mbuluar boshllëkun që do të krijonte largimi i reprezentuesit spanjoll.
Ndërkohë, Rodri e di se Barcelona po bën një përpjekje të madhe financiare për ta transferuar dhe, për këtë arsye, ka pranuar të bëjë edhe vetë disa sakrifica në kontratën e tij. Ai ka hequr dorë nga disa të ardhura që, sipas raportimeve, do t’i merrte nëse do të zgjidhte Real Madridin.
Vendimi i Rodrit është si sportiv, ashtu edhe personal, dhe mesfushori po bën gjithçka që është në fuqinë e tij për ta çuar marrëveshjen deri në fund.
Tashmë gjithçka është në dorën e dy klubeve. Barcelona po përgatit ofertën e fundit, ndërsa Rodri pret dritën jeshile për të nisur aventurën e tij të re në “Camp Nou”.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.