“Intonimi i himnit në shkollat e Gazi Babës”, Sulejmani: Është vendim i përshpejtuar
Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, e ka cilësuar si të përshpejtuar vendimin për intonimin e himnit shtetëror në shkollat e Komunës së Gazi Babës. Duke folur në emisionin “Impakt” në TV Shenja, Sulejmani tha se për ç...
Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, e ka cilësuar si të përshpejtuar vendimin për intonimin e himnit shtetëror në shkollat e Komunës së Gazi Babës.
Duke folur në emisionin “Impakt” në TV Shenja, Sulejmani tha se për çështje të tilla duhet të ketë dialog paraprak, duke theksuar se vendimet nuk duhet të imponohen pa u konsultuar me palët.
“Unë mendoj se është një vendim i përshpejtuar. Nuk e di sa mund të jetë obligativ edhe për shkollat në gjuhën shqipe. Mendoj se kjo bëhet me një dialog paraprak dhe nuk mendoj se kryetari ka bërë mirë që është nxituar në këtë pjesë”, deklaroi Sulejmani.
Ai theksoi se përfundimet e arritura përmes dialogut janë më të qëndrueshme se sa vendimet që perceptohen si imponim.
“Punët apo konkluzionet që vijnë pas një dialogu janë shumë më të mira se sa kur shkohet në njëfarë mënyre si imponim. Për këtë arsye, imponimet zakonisht nuk janë të mira në politikë”, tha Sulejmani.
Ai shtoi se fokusi i institucioneve duhet të jetë te përmirësimi i cilësisë së arsimit, kushtet në shkolla dhe sigurimi i kuadrit të mirë arsimor.
“Unë mendoj se më shumë duhet të koncentrohet edhe kryetari i komunës, por edhe të gjithë ne, që t’ua sigurojmë atyre fëmijëve arsim cilësor, kushtet e mira për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor dhe kuadër të mirë arsimor, se sa të merremi me punë të cilat mund të jenë terciare ose të dorës së pestë-gjashtë dhe t’i anashkalojmë këto punë të tjera”, nënvizon zv/ministri Sulejmani.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.