Investimet serbe në Maqedoni, Saranda Imeri Stafai vs Bujar Osmani
Deputetja e koalicionit VLEN, Saranda Imeri Stafai, ka reaguar ndaj ish-ministrit të Punëve të Jashtme nga radhët e BDI-së, Bujar Osmani, pas publikimit të të dhënave mbi investimet serbe në Maqedoninë e Veriut, duke e akuzuar atë për promo...
Deputetja e koalicionit VLEN, Saranda Imeri Stafai, ka reaguar ndaj ish-ministrit të Punëve të Jashtme nga radhët e BDI-së, Bujar Osmani, pas publikimit të të dhënave mbi investimet serbe në Maqedoninë e Veriut, duke e akuzuar atë për promovimin dhe vazhdimësinë e politikave të iniciativës “Open Ballkan”.
Përplasja verbale nisi pas publikimit të një grafike nga Bujar Osmani me të dhëna zyrtare nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut, ku ai pretendonte për një rritje rekord të investimeve serbe në vend. Sipas shifrave të prezantuara nga Osmani, investimet nga Serbia në vitin 2025 kishin arritur një shifër prej 33.110.000 eurosh, ndërsa në vitin 2024 ishin 2.890.000 euro, në vitin 2023 kapnin vlerën prej 4.230.000 eurosh, si dhe kishin shënuar bilanc negativ në vitet 2021 dhe 2022 (-440.000 euro dhe -10.470.000 euro). Përmes këtyre të dhënave, Osmani synonte të vërtetonte pretendimet se nën qeverisjen e re ndikimi ekonomik dhe kapitali serb pësuan një kapërcim të madh në tregun vendas.
Në përgjigje të këtyre deklaratave, Imeri Stafai prezantoi të dhënat për investimet e huaja gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, sipas të cilave Kosova ka investuar 2.4 milionë euro, ndërsa Shqipëria 5.14 milionë euro. Në të njëjtën periudhë, investimet nga Serbia kanë arritur në 2.1 milionë euro. Sipas këtyre shifrave, investimet e përbashkëta nga Kosova dhe Shqipëria kapin vlerën prej 7.54 milionë eurosh, që është rreth 3.5 herë më shumë se investimet serbe.
Deputetja e VLEN-it rikujtoi gjithashtu hyrjen e bankës serbe Alta Banka në tregun e Maqedonisë së Veriut gjatë vitit 2025, duke e lidhur këtë zhvillim me persona të afërt të BDI-së. Ajo nëvizoi se Shqipëria dhe Kosova kanë investuar rreth 3.5 herë më shumë sesa Serbia në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, duke sqaruar se kjo qasje dallon qartë nga politika e Bujar Osmanit dhe përkrahësve të “Open Ballkan”, pasi orientimi drejt investimeve nga Kosova dhe Shqipëria përbën boshtin e politikës ekonomike që ndjek VLEN-i.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.