Ish-diplomati amerikan pas dënimit të krerëve të UÇK-së: U befasova që u dha një dënim kaq i rëndë

Ish-diplomati amerikan, Filip Riker, është shprehur i befasuar me dënimet e shqiptuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Riker ka thënë se, pavarësisht aktgjykimit të shpallur, duhet të pritet procesi i apelimit...

shtator 18, 2026 - 01:30
Ish-diplomati amerikan pas dënimit të krerëve të UÇK-së: U befasova që u dha një dënim kaq i rëndë

Ish-diplomati amerikan, Filip Riker, është shprehur i befasuar me dënimet e shqiptuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Riker ka thënë se, pavarësisht aktgjykimit të shpallur, duhet të pritet procesi i apelimit për të parë se cili do të jetë rezultati përfundimtar i këtij rasti.

“Epo, pas një kohe shumë të gjatë, sot mësuam për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në këtë rast. Procesi zgjati për disa vite, sigurisht, me Hashim Thaçin dhe të pandehurit e tjerë që po mbaheshin në paraburgim. Sinqerisht, u befasova që u dha një dënim kaq i rëndë”, ka deklaruar Riker.

Ai ka theksuar se aktgjykimi është vendim i gjykatës dhe se tashmë çështja do të kalojë në fazën e apelimit.

“Ky është aktgjykimi i gjykatës, i Dhomave të Specializuara, dhe tani, sigurisht, çështja do të kalojë në procesin e apelimit dhe do të shohim se cili do të jetë rezultati i këtij procesi. Epo, nuk më takon mua të them. Aktgjykimi është aktgjykimi. Ky është një proces përmes një institucioni që është krijuar për këtë qëllim”, ka thënë ai.

Riker ka pranuar se vendimi ka shkaktuar reagime dhe dhimbje në rajon, duke thënë se tashmë duhet të pritet rrjedha e procesit të apelimit.

“E di se në rajon, tek shumë njerëz, kjo shkakton një dhimbje të madhe. Por, siç thashë, duhet të shohim procesin që na pret, i cili përfshin edhe procesin e apelimit, dhe të shohim se ku mund të na çojë ky proces në fund”, është shprehur Riker.

Sipas tij, më e rëndësishmja tani është që të mendohet për të ardhmen e Kosovës, Serbisë, Ballkanit dhe Evropës.

“Mendoj se gjëja e rëndësishme është të mendojmë për të ardhmen e rajonit, të ardhmen e Kosovës, të ardhmen e Serbisë, të ardhmen e të gjithë Ballkanit dhe të Evropës. Dhe ka qenë prej kohësh shpresa ime që të shohim përparim të vërtetë në këtë drejtim. Fatkeqësisht, përparimi ka qenë shumë i ngadalshëm dhe nuk jam i sigurt se ky aktgjykim apo ky proces na ndihmon në këtë drejtim”, ka deklaruar ai.

Ish-diplomati amerikan ka folur edhe për reagimet e forta pas shpalljes së aktgjykimit, duke theksuar se pakënaqësia ndaj vendimit nuk duhet të shndërrohet në dhunë.

Riker ka folur edhe për natyrën e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar se bëhet fjalë për përgjegjësi individuale dhe jo kolektive.

“Mendoj se tashmë kemi parë që, vetëm pak minuta dhe orë pas shpalljes së aktgjykimit, ka pasur reagime të forta, siç thashë, dhe te shumë njerëz është shfaqur një ndjenjë padrejtësie. Gjëja e rëndësishme për t’u mbajtur mend është se kjo është pjesë e një procesi që përfshin edhe ankimin. Jam i sigurt se ai proces tashmë ka filluar”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, historia dhe gjeografia e rajonit nuk mund të ndryshohen, ndaj fokusi duhet të jetë te krijimi i një të ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.