Ish-drejtori i Postës së Maqedonisë së Veriut nën hetim, dyshohet se shkaktoi dëm prej 11 milionë denarësh

Drejtoria e Policisë Financiare ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup kundër J.M., ish-drejtor i përgjithshëm i SHA “Posta e Maqedonisë së Veriut” në pronësi shtetërore dhe kryetar i Bordit Drejtues, nën dysh...

tetor 20, 2026 - 14:00
Ish-drejtori i Postës së Maqedonisë së Veriut nën hetim, dyshohet se shkaktoi dëm prej 11 milionë denarësh

Drejtoria e Policisë Financiare ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup kundër J.M., ish-drejtor i përgjithshëm i SHA “Posta e Maqedonisë së Veriut” në pronësi shtetërore dhe kryetar i Bordit Drejtues, nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, sipas nenit 353 të Kodit Penal.

Sipas Policisë Financiare, gjatë periudhës 2021–2022, i kallëzuari, në kundërshtim me statutin e shoqërisë dhe Ligjin për shoqëritë tregtare, nuk ndërmori veprime për zbatimin e vendimeve dhe konkluzioneve të Bordit Drejtues lidhur me shlyerjen e detyrimeve financiare ndaj dy subjekteve juridike, në vlerë të përgjithshme prej 19.292.984 denarësh.

Edhe pse i ishin dorëzuar dokumentet e nevojshme për kryerjen e pagesave, ai nuk e nënshkroi marrëveshjen për shlyerjen e borxhit, nuk i konfirmoi faturat dhe nuk i nënshkroi urdhërpagesat.

Me këto veprime dhe mosveprime, sipas kallëzimit, u mundësua ngritja e procedurave gjyqësore kundër shoqërisë, pas të cilave, me vendime gjyqësore, u përcaktuan detyrime për pagesën e kamatës ndëshkuese.

Në këtë mënyrë, SHA “Posta e Maqedonisë së Veriut” ka pësuar dëm financiar në vlerë prej 10.968.483 denarësh, vetëm në bazë të kamatave ndëshkuese.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.