Islam Makhachev i pamposhtur/ Thyen rekordin e fitoreve radhazi në UFC, mund Ian Machado Garry pas 5 raundeve dhe mbron titullin (Video)
Islam Makhachev është tashmë mbajtësi i rekordit për më shumë fitore radhazi në historinë e UFC-së. Luftëtari nga Dagestani mposhti Ian Machado Garry me vendim unanim në eventin kryesor të UFC 330 në Filadelfia, duke regjistruar fitoren e 1...


Islam Makhachev është tashmë mbajtësi i rekordit për më shumë fitore radhazi në historinë e UFC-së. Luftëtari nga Dagestani mposhti Ian Machado Garry me vendim unanim në eventin kryesor të UFC 330 në Filadelfia, duke regjistruar fitoren e 17-të radhazi në organizatën më të madhe të arteve marciale mikse.
Makhachev, kampion i peshës velter, e mbrojti për herë të parë titullin në këtë kategori dhe tashmë ka kaluar rekordin e mëparshëm të Anderson Silva, i cili kishte 16 fitore radhazi në UFC.
Përballë tij ishte një Ian Machado Garry që bëri një paraqitje të fortë dhe e vuri në vështirësi kampionin në disa momente të përballjes. Irlandezi u përpoq ta mbante luftën në këmbë, duke përdorur goditjet në distancë, por Makhachev arriti të imponojë stilin e tij me mundjen dhe kontrollin në tokë.
Në raundin e parë, të dy luftëtarët nisën me kujdes, duke studiuar lëvizjet e njëri-tjetrit. Makhachev gjeti mundësinë e parë për rrëzim dhe e çoi Garry-n në tokë, duke treguar që në minutat e para se kontrolli në grappling do të ishte një prej armëve kryesore të kampionit.
Garry arriti të shmangte kontrollin e plotë dhe të rikthehej në këmbë, por në raundin e dytë Makhachev goditi me një high kick të fuqishëm, duke e rrëzuar irlandezin në tapet. Kampioni përfitoi nga momenti dhe e kontrolloi Garry-n në tokë deri në fund të raundit.
Në raundin e tretë, Garry u shfaq më i sigurt në këmbë. Ai përdori përsëri goditjet me këmbë dhe arriti të mbajë Makhachev larg, ndërsa kampioni nuk e pati të lehtë ta mbante kundërshtarin në tokë pas rrëzimeve të radhës.
Irlandezi pati gjithashtu një moment të rëndësishëm kur goditi Makhachev me një high kick në kokë. Kampioni nisi të shfaqte shenja lodhjeje, ndërsa Garry kërkonte të përfitonte nga avantazhi në goditje.
Raundi i katërt ishte vendimtar. Të dy luftëtarët shkëmbyen goditje, ndërsa Makhachev tentoi sërish ta çonte përballjen në tokë. Garry arriti fillimisht ta mbrojë rrëzimin, por kampioni përfundimisht e realizoi takedown-in dhe e mbajti irlandezin të kontrolluar pranë kafazit. Ky kontroll rezultoi i rëndësishëm për vendimin përfundimtar të gjyqtarëve.
Në raundin e fundit, Garry doli më agresiv, duke kërkuar një mënyrë për ta përmbysur rezultatin. Ai goditi me kombinime dhe mbajti qendrën e oktagonit, por Makhachev arriti sërish ta rrëzojë dhe ta përfundojë përballjen në tokë.
Pas pesë raundesh, të tre gjyqtarët i dhanë fitoren Makhachev me vendim unanim. Me këtë sukses, ai jo vetëm mbrojti titullin e peshës velter, por vendosi edhe një rekord të ri në UFC me 17 fitore radhazi.
Fitorja e çon Makhachev në një tjetër kapitull të karrierës së tij. Emrat e Carlos Prates dhe Michael Morales përmenden tashmë mes kandidatëve për sfidën e radhës, ndërsa vetë Makhachev ka treguar interes për një përballje me Prates.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.