Jakup Huseini prezanton programin për Bërvenicën: Asnjë vendbanim nuk lihet pas

Kandidati i VLEN-it për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Jakup Huseini, në Konventën promovuese në Çellopek prezantoi planprogramin e tij për zhvillimin e komunës, të cilin e ka ndërtuar, siç tha, mbi takimet me banorët e të gjitha vendban...

tetor 4, 2026 - 23:30
Jakup Huseini prezanton programin për Bërvenicën: Asnjë vendbanim nuk lihet pas

Kandidati i VLEN-it për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Jakup Huseini, në Konventën promovuese në Çellopek prezantoi planprogramin e tij për zhvillimin e komunës, të cilin e ka ndërtuar, siç tha, mbi takimet me banorët e të gjitha vendbanimeve.

Huseini tha se programi mbështetet në katër shtylla: qeverisje të përgjegjshme dhe transparente, zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim me diasporën, më shumë mundësi për të rinjtë, si dhe përmirësim të infrastrukturës dhe mjedisit.

“Një program që nuk është hartuar larg qytetarëve, por në bashkëbisedim me ta”, tha Huseini, duke theksuar se katër shtyllat janë të shoqëruara me projekte konkrete për secilin vendbanim.

Në Çellopek, ai përmendi ndërhyrjet në shkollë, sallën sportive, sigurinë e fëmijëve, rrugët dhe shtigjet për hiking. Për Radiovcën, Huseini veçoi rrugën, ndriçimin dhe rregullimin e rrugicave, ndërsa për Miletinën ujin, mjedisin, qendrën sportive dhe urën.

Programi parasheh gjithashtu projekte për shkollën, ujitjen, ndriçimin dhe urat në Tenovë, ndërsa për Gurguricën përfshin rrugën Stençe-Gurguricë, lidhjen me Liqenin e Treskës, hapësirat sportive dhe promovimin e traditës lokale.

Huseini tha se e njëjta qasje do të zbatohet edhe në Bërvenicë, Sedllarcë të Poshtme, Bllacë, Stençe dhe Vollkovë.

“Dua të jetë Bërvenica një komunë ku asnjë vendbanim nuk lihet pas”, u shpreh ai.

Duke folur për përvojën e tij, Huseini theksoi se kandidatura për kryetar nuk është fillimi i angazhimit të tij në komunë. Ai tha se për gjashtë vite ka punuar si nëpunës në Komunën e Bërvenicës, ku ka hartuar dhe kontribuar në dhjetëra projekte.

“Për mua, kjo nuk është një rrugë që fillon sot. Për gjashtë vite kam qenë nëpunës në Komunën e Bërvenicës, ku kam hartuar dhe kam kontribuar në dhjetëra projekte në dobi të banorëve të kësaj komune”, tha Huseini.

Ai shtoi se këtë përvojë synon ta përdorë si bazë për vazhdimin e projekteve dhe realizimin e planprogramit të prezantuar para qytetarëve.

“Ky është angazhimi im: të punojmë për çdo fshat, për çdo familje dhe për çdo qytetar të Bërvenicës”, tha Huseini në përmbyllje të fjalimit.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.